F1-Spanjë, Hamilton dominon provat e lira

09/05/2014 00:00

I pari sa i përket një xhiroje të shpejtë, i pari edhe në provat e lira të dyta të së premtes. Lewis Hamilton konfirmon edhe njëherë se është më i shpejti, këtë herë për Çmimin e Madh të Spanjës, në Formula 1.

Në Barcelonë, britaniku i Mercedes-it është renditur i pari me kohën prej 1’25’’524, ndërkohë që ndiqet më së afërmi nga shoku i tij i skuadrës, Rosberg, me mbi 4 të dhjetat më shumë.

I treti është renditur piloti i Red Bull-it, australiani Ricciardo dhe, menjëherë pas tij vjen dyshja e Ferrarit Alonso-Raikkonen, në vendet 4-5. Pa kohë kanë përfunduar provat e lira për kampionin e katërfishtë të botës, Sebastian Vettel.

Mercedes ka rikonfirmuar supremacinë e saj edhe nën rrezet e diellit në Montmelo, madje zor se mund ta arrijë dikush në një pistë të tillë, tepër të shpejtë, ku mund të shfrytëzohet në maksimum superioriteti i motorrit gjerman.

E vërteta është se Hamilton duket i pakapshëm edhe për “shokun” e tij të skuadrës, i cili vonohet gjithnjë e më shumë pas çdo modifikimi të konfigurimeve.

Duket se te Mercedes po përgatiten sërish për një “dopietë”, madje të dytën radhazi, dhe këtu bëhet fjalë edhe për kualifikimet e ditës së shtunë dhe për garën e së dielës. Pa marrë parasysh ndonjë surprizë, mendohet se mund të ketë një duel Ferrari-Red Bull për vendin e mbetur në podium.

Veçanërisht me gomat e forta, Fernando Alonso ka regjistruar kohë të pranueshme, edhe pse 2 sekonda pas Hamilton-it (në rastin e xhirove më të shpejta të regjistruara gjatë provave të lira), duke u konfirmuar si forca e katërt në garë. I njëjti diskutim edhe për Kimi Raikkonen, i cili duket se e ka nisur fundjavën në mënyrën e duhur.

Nëse kujtojmë se piloti spanjoll i Ferrarit, arriti në Spanjë vitin e kaluar fitoren e fundit për “kokëkuqen”, sigurisht që është disi e dhimbshme, por përpara tyre është një Daniel Ricciardo, i cili konfirmon edhe njëherë nisjen befasuese të sezonit, edhe pse këtë radhë ishte me Red Bull-in më të mirë, pasi Vettel nuk mundi të merrte pjesë në sesionin e dytë të provave për shkak të një difekti elektrik në mëngjes.

Top Channel