Tajlandë, Shinawatra akuzohet për korrupsion

08/05/2014 00:00

Struktura kundër korrupsionit në Tajlandë ka paditur kryeministren e rrëzuar Yingluck Shinawatra për një skemë të debatueshme subvencionesh për orizin.

Çështja tani do të votohet në Senat. Nëse ish-kryeministrja do të dalë e përfshirë në këtë aferë, atëherë asaj do t’i ndalohet pjesëmarrja në politikë për pesë vjet.

Ditën e mërkurë një gjykatë tajlandeze urdhëroi zonjën Shinawatra dhe disa ministra të kabinetit të saj që të jepnin dorëheqjen për akuza të ndryshme në ngarkim të tyre.

Tajlanda është përfshirë në një krizë politike që prej nëntorit 2013, kur nisën protestat kundër qeverisë. Në shkurt të këtij viti, në vend u anulua mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme.

Komisioni Kombëtar Anti-Korrupsion votoi unanimisht për paditjen e ish-kryeministres, deklaroi të enjten kryetari i strukturës. “Komisioni ka hetuar dhe ka mjaft prova për të hapur një çështje. Ne do ta dërgojmë vendimin tonë në Senat”, deklaroi Panthep Klanarong.

Komisioni po shqyrton gjithashtu mundësinë e ngritjes së akuzave kriminale ndaj zonjës Shinawatra. Vetë ajo tha më herët se detyra e saj ishte vetëm hartimi i politikës së subvencioneve dhe jo zbatimi i saj ditë pas dite. Ajo pretendon se komisioni nuk e ka trajtuar në mënyrë të drejtë çështjen e saj.

Në bazë të skemës së subvencioneve për orizin, qeveria bleu oriz nga fermerët tajlandezë me një çmim shumë më të lartë se në tregun global.

Gjithësesi, kjo skemë rezultoi me akumulimin e stoqeve të mëdha të orizit dhe goditi rëndë eksportin e tij. Kritikët thanë se skema ishte shumë e kushtueshme dhe e cënueshme nga korrupsioni.

Top Channel