SHBA, polici qëllon për vdekje 93 vjeçaren

08/05/2014 00:00

Një grua 93-vjeçare është qëlluar për vdekje në shtëpinë e saj gjatë ditës së martë në Texas nga një polic. Autoritetet kanë nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e shkaqeve që çuan policin të qëllojë mbi të moshuarën.

Pearlie Golden, një banore e vjetër në Hearne, është qëlluar disa herë nga polici.

Një person, i cili dyshohet të ketë qenë një i afërm i viktimës, ka telefonuar duke i kërkuar ndihmë policisë, ka thënë prokurori Coty Siegert.

“Personi na ka telefonuar sepse ka parë gruan me një armë në dorë. Pasi policia mbërriti në vendngjarje një oficer i urdhëroi të moshuarës të lëshojë pistoletën në tokë, por ajo nuk e bëri dhe menjëherë mbi të u qëllua”, deklaroi Siegert. 93-vjeçarja është dërguar në spital, ku ndërroi jetë.

Departamenti i policisë së Hearne ka pezulluar Stephen Stem në pritje të përfundimit të hetimit.

“Ne jemi shumë  të trishtuar nga kjo ngjarje. Të gjithë në qytet janë të zhgënjyer thellë se pse kjo grua e moshuar mbeti e vrarë”, ka thënë prokurori Bryan Russ.

Banorët e zonës kanë thënë se policia duhet të kishte qëlluar në ajër për ta trembur gruan, pasi ajo nuk ka qëlluar me armë.

“Është e natyrshme që njerëzit të mërziten për këtë rast, pasi një polic i ri ka qëlluar një zonjë 93-vjeçare. Edhe unë jam i mërzitur. Shumica e qytetarëve janë të shqetësuar, por unë besoj që jo të gjitha faktet kanë dal në dritë”, shtoi Russ.

Top Channel