Messi: Mjaft mizorive ndaj meje. Ndihem mirë

08/05/2014 00:00

Leo Messi duket se ka duruar mjaft, ka ardhur koha të flasë vet fenomeni argjentinas, i cili është shprehur se “ka dëgjuar shumë mizori, thuajse të gjitha gënjeshtra” në lidhje me të ardhmen e tij dhe mbi gjendjen e tij shëndetësore.

Madje, “pleshti” argjentinas ka shtuar se Barcelona nuk mund ta humbasë La Liga-n, tashmë që Real Madrid barazoi në ndeshjen e prapambetur dhe shanset e skuadrës së drejtuar nga Ancelotti thuajse janë zeruar.

“Mesia” ka ndërhyrë gjatë një iniciative të Fondacionit të tij, teksa ka thënë se nuk është ndjerë aspak i shqetësuar në lidhje me kontratën me klubin e tij, për të cilën është folur prej kohësh për një rinovim, duke theksuar se janë folur shumë “mizorira” gjatë këtyre muajve për llogari të tij.

“Janë shkruar një sërë gjërash gjatë këtij fillimviti – sipas fjalëve të tij të cituara nga “AS”, – e për më tepër thuajse të gjitha janë gënjeshtra. Kjo sepse unë jam mirë, ndihem mirë”. Me këtë deklaratë i është referuar disa episodeve mbi problemet e tij me stomakun, të cilat i janë shfaqur gjatë stërvitjeve apo ndeshjeve.

Kontrata? Tratativat janë duke u zhvilluar, bëhet fjalë për shifra rekord prej 20-22 milionë eurosh në sezon. Por, Messi ka thënë se dëshiron të përqendrohet në kampionat, dhe se barazimi i Real Madrid ndaj Valladolid (1-1) i ka rikthyer shpresat Barcelonës, së cilës do t’i mjaftonin vetëm 2 fitore në po kaq ndeshje nga fundi, për t’u shpallur kampione e Spanjës.

“Jemi përmirësuar, në krahasim me javët e fundit. Tashmë kemi më shumë shanse, ndaj dhe duhet të fokusohemi më shumë te vetja jonë, se sa te dhuratat e të tjerëve”.

Top Channel