
Ekranet e mëdhenj në “Times Square” të Nju Jorkut kanë shërbyer për disa orë, si sfond i një eventi sportiv.
Përballja mes 11 sportistëve amerikanë dhe rusë të sportit të mundjes, të cilët lanë mënjanë tensionin mes politikave të të dy vendeve, dhuruan emocione për tifozët, apo edhe për kalimtarët e rastësishëm në një prej rrugëve më të njohura në botë.
Mundësat amerikanë, mes të cilëve kishte dhe kampionë olimpikë, theksuan se problemet politike mes dy vendeve nuk duhet dhe nuk mund të ndikojnë në sport. Nga ana tjetër, sportistët rusë mbetën shumë të kënaqur nga organizimi dhe mbështetja e njerëzve, të cilët ndoqën këtë aktivitet, ku amerikanët fituan 8 nga 11 përballje.
Ndizet lufta në NBA
Miami Heats fiton gjysmëfinalen e parë në Lindje
Miami Heat mposhti 107 – 86 skuadrën e Brooklyn Nets, në gjysmëfinalen e parë të Konferencës së Lindjes në NBA.
Protagonistët e fitores ishin, padyshim, dy yjet e kësaj skuadre: LeBron James, me 22 pikë të shënuara, dhe Ray Allen, me 19 pikë. Me këtë fitore, skuadra e Miami-t theu dhe një tabu. Arriti të mposhtë skuadrën nga e cila, gjatë sezonit të rregullt, pësoi 4 humbje dhe nuk mori dot asnjë fitore.
Gjysmëfinalja tjetër e Lindjes, mes Indianës dhe Uashingtonit, është në barazim 1-1, ndërsa në Perëndim, San Antonio fitoi ndeshjen e parë ndaj Portland, ndërsa sfida mes LA Clippers dhe Oklahoma është në barazim 1-1.
Yjet e futbollit, biznes bostanesh
Messi, Ronaldo e Neymar përfundojnë statuja me shalqi
Fytyrat e Lionel Messi-t, Cristiano Ronaldo-s dhe Neymar, nuk do të jenë më vetëm nëpër revista, gazeta apo dhe postera. Rogerio Holanda, i cili është dhe shef kuzhine në një prej restorantëve më të mirë në Brazil, ka vendosur t’i gdhendë figurat e tyre në 3 shalqi.
Komplimenti më i madh, që Holanda ka marrë për punën e tij, është bluza me nënshkrimin e legjendës braziliane të futbollit, Zico, pasi ky i fundit kishte marrë bustin e tij të gdhendur po në shalqi.
Top Channel