“Forbes 2014”, Reali, ekipi më me vlerë në botë

08/05/2014 00:00

Real Madrid dhe Atletico Madrid do të luajnë përballë njëri-tjetrit në fund të këtij muaji, për të vendosur se cili klub është më i miri në Europë, por kur vjen puna te financat ka vetëm një fitues.

Rivalët e të njëjtit qytet do të sfidohen në finalen e Champions League, më 24 Maj në Lisbonë, por Atletico duket në pamje të parë se e ka shumë të vështirë takimin, duke parë  pabarazinë e theksuar ekonomike mes tyre.

9 herë kampionët e Europës, Real Madrid, kryeson listën e “Forbes”-it si klubi më i vlefshëm i futbollit në botë, pasi vlera e “Los Blancos”-ve përllogaritet në 3,44 miliardë dollarë.

Ekipi nga “Santiago Bernabeu” i cili ka në gjirin e tij fituesin e Topit të Artë, Cristiano Ronaldo, kanë deklaruar një fitim prej 675 milionë dollarësh për sezonin 2012-14, ndërsa të ardhurat operative i kanë në 172 milionë dollarë.

Në kontrast me ta, Atletico është shumë herë më poshtë në renditjen për nga gjendja financiare, teksa “Forbes” e klasifikon atë të 17-tin, me vlerën prej 328 milionë dollarësh.

Edhe pse me një distancë të tillë, Atletico po tejkalon forcat e veta në betejën për titullin e La Ligës në Spanjë, kur kanë mbetur edhe 2 ndeshje për t’u zhvilluar, pasi ekipi i Diego Simeone-s është në krye, 3 pikë më shumë se Barcelona e vendit të dytë dhe 4 pikë më shumë se Reali i vendit të tretë.

Atletico ka suprizuar të gjithë me paraqitjen impresive deri në finalen e kompeticionit më madhor për klube në Europë, hera e parë kjo që “Los Rojiblancos” arrijnë në këtë fazë pas 40 vitesh.

Barcelona është renditur e dyta sipas “Forbes”, me vlerën prej 3,28 miliardë dollarë, ndërsa Manchester United kap vendin e fundit në podium, me 2,81 miliardë dollarë.

Bayern Munchen, kampionët në fuqi të Europës por tashmë të eliminuar, si dhe kampionë Gjermanisë, janë në vendin e 4-t me një vlerë prej 1,85 miliardë dollarë, një hap përpara Arsenalit me 1,33 miliardë dollarë.

Ja dhe lista e ekipeve me vlerë më të lartë sipas “Forbes” në 2014-n:

1. Real Madrid ($3.44 mld)
2. Barcelona ($3.2 mld)
3. Manchester United ($2.81 mld)
4. Bayern Munich ($1.85 mld)
5. Arsenal ($1.33 mld)
6. Chelsea ($868 mln)
7. Manchester City ($863 mln)
8. AC Milan ($856 mln)
9. Juventus ($850 mln)
10. Liverpool ($691 mln)

Top Channel