Alonso “frenon”: Mos krijojmë pritshmëri false

08/05/2014 00:00

Fernando Alonso shfaqet me këmbët në tokë, pikërisht në startin e fundjavës së Çmimit të Madh të Barcelonës.

“Nuk mund ta nisim këtë fundjavë duke folur për fitore. Dua të them se në këtë mënyrë krijojmë pritshmëri false. Në Kinë arritëm të bashkërendonim gjithçka siç duhej, por nëse do të thoja tani se do të luftojmë për podiumin në Spanjë, atëherë do të gënjeja. Do të bëjmë më të mirën tonë, duke ditur se kemi përpara një fundjavë të vështirë”, është shprehur piloti spanjoll i Ferrarit.

Pavarësisht podiumit të marrë në Kinë, diferenca me dy pilotët e Mercedes është ende shumë e madhe. “Vendi i tretë në Kinë na jep një shtysë dhe motivim të nevojshëm – flet më tej piloti asturian, – por për momentin nuk jemi në pozicionin për të thënë se në Spanjë do të luftojmë për podiumin”.

“Mercedes-i mendon se Ferrari është kërcënimi më i madh për titullin? Është një lajm i mirë, pasi do të thotë se na respektojnë. Por, duhet të jemi në lartësinë e këtyre pritshmërive, nëse duam të jemi vërtet një kërcënim”.

Top Channel