
Nuk i janë dashur shumë përpjekje Partisë Demokratike të Kosovës që t’i mbledhë votat e mjaftueshme për shpërndarjen e Kuvendit dhe dërgimit të Kosovës në zgjedhje të parakohshme. Megjithatë shefi i grupit parlamentar të PDK-së Adem Grabovci shfrytëzoi momentet e fundit për t’i bindur ata pak deputetë me qëndrime të lëkundura për këtë cështje.
Me përkrahje të pa rezervë të Lidhjes Demokratike të Kosovës edhe propozimi për shpërndarjen e Kuvendit u lexua nga një deputet i PDK-së. Arsim Bajrami arsyetoi mocionin me qëllimin e ruajtjes së stabilitetit institucional.
Arsim Bajrami, deputet i PDK-së: Ne kërkojmë që të gjitha partitë politike të mbështesin këtë mocion të hapin rrugën për zgjedhje të parakohëshme dhe për të realizuar marrëveshjen mes udhëheqësve të shumicës në mënyrë që vendi të shkojë në zgjedhje.
Ismet Beqiri, shef i grupit parlamentar i LDK-së: Thelbi i gjithë kësaj është që të shkohet në zgjedhje dhe qytetarët me votën e tyre, kësaj qeverie që sot është e gjitha këtu, t’i tregojë derën…dhe ne besojmë shumë që kjo do të ndodhë.
Debati që zgjati më pak se tri orë përfundoi me votën e 90 deputetëve për shpërndarjen e parlamentit. Kundër shpërndarjes votuan, një deputet i AAK-së dhe tre të AKR-së. Abstenuan tre deputetë AAK-së, mes tyre edhe Blerim Shala i cili sipas burimeve ishte ndjerë i injoruar nga kryeministri Thaçi në këtë proces.
Lëvizja Vetëvendosje e cila nuk mori pjesë në votim, por dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës si dhe partneri i koalicionit qeverisës Aleanca Kosova e Re kritikuan bashkëpunimin mes PDKsë dhe LDK-së. Deputetë nga këto parti thanë se qeveria Thaçi për shkak të keqqeverisjes meriton të rrëzohet. Ardian Gjini i AAK-së kërkoi 10 minuta pushim në mënyrë që liderët të koordinohen, por një gjë e tillë ndonëse gjeti mbështetjen e Vetëvendosjes nuk shkoi më tutje.
Ardian Gjini, AAK: Nuk po shpërbëjmë Kuvendin por po shkarkojmë qeverinë e Kosovës sepse e meriton. Është kërkesë zyrtare, 10 minuta pushim për mocionin e mosbesimit të qeverisë.
Albin Kurti, Vetëvendosje: Mendoj që është një mundësi e jashtëzakonshme që të mos shpërndahet Kuvendi, por të detyrohet ky Kryeministër që të japë dorëheqjen. Premtoi ushtrinë nuk e bëri, premtoi shpërndarjen nuk e bëri. Ky nuk ka ku shkon! A po e kuptoni që e keni në dorë Kryeministrin Thaçi sot?!
Në debatin e fundit kësaj legjislature opozita i kujtoi qeverisë dështimet, por opozitarët ishin më të zëshëm në kritika ndaj njëri-tjetrit. Albin Kurti akuzoi LDK-në se për të lidhur koalicion me Thaçin po e ndihmon atë të bjerë ashtu sic bëri Ibrahim Makolli në 2010-n, i cili sot është pjesë e qeverisë Thaçi 2. Duke u kthyer më shumë në retrospektivë Vetëvendosje kujtoi marrëveshjen e parë PDK- LDK në 2011 dhe kurorëzimin e dashurisë, sic u quajt marrëveshja e 14 shkurtit, Thaçi-Mustafa për mbajtjen e zgjedhjeve në qershor. Nuk munguan as përplasjet mes AAK-së dhe Vetëvendosjes për kërkesën e AAK-së që qeveria të rrëzohet në prill dicka që lëvizja e Kurtit nuk e kishte mbështetur.
Ndërsa injoroi tërësisht lëvizjen Vetëvendosje kryeministri Thaçi falenderoi LDK-në dhe AAK-në për qëndrimin konstruktiv, sic tha ai, sidomos kur ka qenë fjala për mbështetjen e axhendës nacionale të shtetit.
“Vendimi për shpërbërjen e këtij Kuvendi po bëhet në pajtueshmëri të plotë të partive kryesore në këtë vend. Mendoj që është momenti i duhur që të organizojmë zgjedhje të lira dhe cilësore që edhe institucionet që do të krijohen të jenë të besueshme dhe funksionale”, deklaroi kryeministri Thaçi.
Pas shpërndarjes së parlamentit bie edhe qeveria ndonëse në Kushtetutë nuk është i specifikuar roli i qeverisë tani e tutje. Ajo cfarë dihet është se ekzekutivi nuk mund të marrë vendime të cilat kërkojnë aprovimin e Kuvendit.
Presidentja e Kosovës atifete jahjaga ka filluar menjëherë konsultat me partitë politike për të gjetur konsnesnus për datën e mbajtjes së zgjedhjeve.
Top Channel