Putin: Kemi tërhequr trupat nga kufiri

07/05/2014 00:00

“Rusia ka tërhequr trupat e saj nga kufiri ukrainas, ato ndodhen në vendet ku kryejnë stërvitjet e rregullta dhe poligone”.

Deklarata është bërë nga presidenti rus Vladimir Putin, në konferencën për shtyp me presidentin e radhës të OSBE-së, që ndodhet për një vizitë në Moskë.

“Lëvizja e trupave mund të verifikohet fare lehtë përmes mjeteve moderne të zbulimit. Nga hapësira shihet gjithçka”, ka deklaruar Putin.

Gjithashtu, presidenti rus u ka bërë thirrje ndaj separatistëve në
Lindje të Ukrainës të shtyjnë planet për një referendum më 11 Maj, mbi
statusin e rajoneve kryesisht rusisht-folëse.

Nga ana tjetër, kreu i OSBE-së ka thënë se trupa e sigurisë dhe të drejtave të njeriut do të propozojë së shpejti një “rrugëzgjidhje” për të shpërndarë krizën në Ukrainë.

Presidenti rus e ka justifikuar shtyrjen e këtij votimi me argumentin “që të krijohen kushtet e nevojshme për dialog mes palëve”. Ai ka thënë gjithashtu se është i gatshëm të “gjejë rrugëzgjidhje për daljen nga kriza”.

Sipas Putin, zgjedhjet presidenciale të Ukrainës më 25 Maj janë një hap “në drejtimin e duhur”, por vota e këtyre zgjedhjeve duhet të ndikojë për asgjë, për sa kohë që të drejtat e “të gjithë qytetarëve” të jenë të mbrojtura.

Më herët Rusia u akuzua sërish nga sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, William Hague, i cili ka takuar liderët ukrainas në Kiev, se “është përpjekur të orkestrojë konfliktin dhe provokimet” në lindje dhe jug të Ukrainës.

Hague tha se “objektivi i radhës” i Moskës është pengimi i zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë, më 25 Maj, “ndërkohë që, sigurisht, mund të jenë duke u përpjekur edhe për gjetjen e një preteksti për të ndërhyrë”.
 
Ndërkohë, separatistët pro-rusë kanë rimarrë kontrollin e Bashkisë në qytetin port në jug të Ukrainës, Mariupol, disa orë pasi ishin nxjerrë prej andej nga forcat e sigurisë së Ukrainës.

Forcat qeveritare kishin ngritur më herët flamurin ukrainas mbi ndërtesë, por më pas janë detyruar të largohen, duke lejuar rebelët të merrnin sërish kontrollin e saj.

Kievi ka dërguar trupa në përpjekje për të kthyer kontrollin e ndërtesave zyrtare të pushtuara nga rebelët pro-rusë gjatë javëve të fundit.

Top Channel