Vjenë, ministrat e BE diskutuan për Ukrainën

06/05/2014 00:00

Ministrat e Jashtëm europianë u takuan për të diskutuar krizën në Ukrainë, ku autoritetet kanë nisur operacionin kundër separatistëve pro-rusë.

Në samitin e Këshillit të Europës në Vjenë, ku mori pjesë edhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati, u fol për t’i gjetur zgjidhje situatës në lindje të Ukrainës, si dhe për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Deshchytsia, dhe homologu i tij, Sergei Lavrov, u takuan shkurtimisht të hënën, përpara takimit zyrtar të së martës.

“Nuk mund të presësh mrekulli nga konferenca – tha ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurz, – sepse nuk do të ketë. Shpresojmë të ketë mbështetje nga të gjithë vendet për zgjedhje të lira presidenciale më 25 Maj, sepse ky është një hap i drejtpërdrejtë për stabilizimin e vendit”.

Moska i ka cilësuar absurde planet për zhvillimin e zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë.

Presidenti francez Francois Hollande paralajmëroi se do të ketë “kaos dhe rrezik për luftë civilë, nëse zgjedhjet nuk zhvillohen”.

Takimi i Vjenës vjen disa ditë pasi forcat e sigurisë së Ukrainës kanë nisur operacionin “anti-terror” në lindje të vendit. Ministri i Brendshëm Arsen Avakov tha se katër ushtarë humbën jetën dhe rreth 30 separatistë u vranë pranë Slovianskut. Sipas tij, janë rreth 800 militantë të trajnuar mirë, me armë të kalibrit të lartë dhe mortaja, që fshihen mes civilëve në qytet.

Një gazetar i “Russia Today” në Sloviansk tha se banorët po grumbullojnë ushqime dhe janë ngritur barrikada në çdo rrugë. Ndërsa në Donjeck, të martën u anuluan shumë fluturime dhe autoritetet e aviacionit nuk kanë dhënë shpjegime për këtë vendim.

Këtu separatistët kanë shpallur “Republikën Popullore” dhe po përgatiten të zhvillojnë referendumin për Pavarësinë të dielën. Autoritetet po përpiqen të rimarrin nën kontroll edhe Odesën.

Presidenti i përkohshëm i Ukrainës, Oleksander Turchynov, shkarkoi kreun e administratës rajonale Volodimir Nemirovski. Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Ëalter Steinmeir tha se tashmë “as Kievi dhe as Moska nuk mund të kontrollojnë forcat në lindje dhe se situata ka dinamikën e saj”.

“Gjakderdhja në Odesa – tha ai, – na tregoi se jemi vetëm pak hapa larg përballjes ushtarake”. Kievi kundërshton kërkesat e aktivistëve pro-rusë për autonomi më të gjerë në rajonet lindore, me frikën se kjo mund të sjellë përçarjen e vendit, ose aneksimin e shumë rajoneve.

Top Channel