Ukraina, Rusia refuzon të tjera bisedime

06/05/2014 00:00

Rusia refuzon t’i bashkohet një tjetër raundi bisedimesh për zgjidhjen e krizës ukrainase në Gjenevë, nëse në këto bisedime nuk përfshihen edhe përfaqësuesit e separatistëve pro-rusë në Lindje të vendit.

Kështu u shpreh nga Vjeni Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të  Europës, që doli me një deklaratë mbështetëse për zgjedhjet presidenciale në Ukrainë që pritet të zhvillohen më datë 25 të këtij muaji.

Për Moskën një tjetër ulje në tavolinë me Bashkimin Europian, Shtetet e Bashkuara dhe Ukrainën në Gjenevë është humbje kohe nëse në këtë tryezë nuk marrin pjesë edhe përfaqësuesit e separatistëve.

Lavrov komentoi edhe vendimin për zgjedhjet presidenciale në Ukrainë. “Është krejtësisht e pazakontë zhvillimi i një procesi zgjedhor në të njëjtën kohë kur ushtria përdoret kundër popullit”, deklaroi ai.

Moska nuk njeh autoritetet e reja në Kiev duke i cilësuar ato si “juntë ushtarake”, ndërsa ka paralajmëruar se nuk do të njohë as procesin zgjedhor dhe as rezultatin e këtij procesi.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Deshchytsia deklaroi se Ukraina është e gatshmë të marrë pjesë në një raund të ri bisedimesh në Gjenevë nëse Moska mbështet zgjedhjet presidenciale.

“Nëse Rusia angazhohet të mbështesë këto zgjedhje presidenciale, të eliminojë kërcënimin dhe të ndalë mbështetjen ndaj elementëve ekstremistë në Ukrainë, në jemi gati për t’u takuar”, deklaroi ai në fund të mbledhjes së Këshillit të Europës në Vjenë.

Prej disa ditësh në Lindje ushtria ukrainase vazhdon operacionin për rivendosjen e autoritetit të Kievit. Epiqendra e përleshjeve është qyteti i Slovianskut në rajonin e Donetskut. Presidenti ukrainas, Olexander Turchynov se 4 ushtarë dhe të paktën 30 separatistë u vranë në luftimet e së hënës.

Një reporter i Russia Today në Sloviansk thotë se banorët po shtojnë rezervat ushqimore, ndërsa në cdo rrugë të qytetit janë ngritur barrikada. Fluturimet hyrëse dhe dalëse në aeroportin e Donetskut u ndaluan pa dhënë asnjë sqarim nga autoritetet ukrainase.

Top Channel