Nigeri, të tjera vajza merren peng

06/05/2014 00:00

Njerëz të armatosur, të dyshuar si pjesë e Boko Haram, kanë marrë peng edhe 8 vajza të tjera nga një fshat pranë bastionit të tyre në veri-lindje të Nigerisë, përgjatë natës, bëri të ditur policia dhe rezidentë lokale gjatë së martës.

Pengmarrja e vajzave, të moshës nga 12-15 vjeçe, vjen pas pengmarrjes masive të më shumë se 200 femrave të tjera nga një shkollë, pikërisht prej militantëve të grupit islamik muajin e kaluar.

Lazarus Musa, një rezident i fshatit Warabe tha për “Reuters” se persona të armatosur kanë hapur zjarr gjatë sulmit.

“Ishin të shumtë dhe të armatosur. Erdhën me dy mjete të ngjyrosura me ngjyrat e ushtrisë. Nisën të qëllonin ndaj fshatit tonë”, tha Musa nëpërmjet telefonit nga fshati në zonën Gwoza, baza kryesore e Boko Haram.

Një burim i policisë, i cili nuk u identifikua, tha se vajzat janë marrë me kamionë, së bashku me bagëti të grabitura dhe dru.

Lideri i Boko Haram, Abubakar Shekau, kërcënoi nëpërmjet një video të publikuar për mediat, gjatë së hënës, se do t’i shiste vajzat e rrëmbyera në treg, duke iu referuar atyre të marra peng nga shkolla më 14 Prill.

Pengmarrja nga islamikët, të cilët thonë se po luftojnë për vendosjen e një shteti islamik në Nigeri, kanë shokuar një vend të prekur gjatë prej dhunës, sidomos në rajonet veri-lindore.

“Shumë njerëz u përpoqën të fshiheshin pas malit, por kur dëgjuan të shtënat u kthyen sërish”, tha Musa. “Njerëzit e Boko Haram kanë hyrë nëpër shtëpi, ndërkohë që i urdhëruan banorët të dilnin jashtë”.

Boko Haram, një nga kërcënimet kryesore të sigurisë së shtetit afrikan, prodhuesi kryesor i energjisë, është duke përjetuar rritje konstante dhe po armatoset gjithnjë e më mirë.

Top Channel