
Skuadrat e Formula 1 do të përdorin goma të mesme dhe të forta në Çmimin e Madh të Spanjës që do të zhvillohet këtë fundjavë në Barcelonë. Sipas Drejtorit Sportiv të kompanisë italiane “Pirelli”, e gjithë kjo bëhet që të mos përsëritet ajo që ndodhi vitin e kaluar në këtë garë, kur pothuajse të gjithë pilotët kryen nga 4 pit stope dhe ku fitues doli Fernando Alonso.
“Në 2013 pamë që u kryen 4 pit stope gjatë garës së Spanjës. Me ndryshimet që kemi bërë te gomat këtë vit ne shpresojmë që të mos ndeshemi më me të njëjtën situatë dhe pjesa më e madhe e pilotëve të mos kryejë më shumë se 3 pit stope. Shpesh është thënë se në Barcelonë fillon e merr formë kampionati i Formula 1 dhe përcaktohet drejtimi që do të marrë ky botëror. Kjo sepse, nëse një makinë bën paraqitje të mirë në Barcelonë, e përsërit atë edhe në të gjitha garat e tjera. Kjo vlen edhe për gomat, Kjo sepse pista katalanase është ajo që kërkon më shumë nga gjithë të tjerat”, tha Drejtori Sportiv i Pirelli-t, Pol Hembri.
Sipas Hembrit, në pistën e Barcelonës ka kthesa të gjata dhe të shpejta, sic është Kthesa Tre, ku rreziku i degradimit të gomave është i madh. Në të njëjtën kohë, një tjetër karakteristikë e kësaj piste është sipërfaqja abrazive e saj, ndërkohë që edhe temperatura e ambientit pritet të jetë e lartë në këtë fundjavë, faktorë të tjerë që mund të shkaktojnë dëmtimin e gomave.
Më pas Pol Hembri konfirmoi se Pirelli do të qëndrojë në Barcelonë edhe pas garës për zhvillimin e testeve të dyta gjatë sezonit për gomat që do të përdoren në vitin 2015.
Top Channel