Europa do vuajë varësinë e gazit nga Rusia

06/05/2014 00:00

Europa do të vuajë për shkak të varësisë së saj ndaj gazit rus për vite me radhë, bënë të ditur ministrat e grupit të 7 kombeve më të industrializuara të botës, të martën, duke dënuar përdorimin e energjisë si një armë detyrimi politik.

“Nuk njoh ndonjërin në botë, i cili do të mund të na thoshte se si mund të ndryshohet varësia e Europës tek importimi i gazit rus në një periudhë afatshkurtër”, tha ministri gjerman i Ekonomisë dhe Energjisë, Sigmar Gabriel, për reporterët.

Pas takimit në Romë, teksa kriza në Ukrainë sa vjen e intensifikohet, ministrat e Energjisë të G7-s tha se “ishin jashtëzakonisht të shqetësuar mbi implikimin e sigurisë së energjisë nga zhvillimet në Ukrainë, si pasojë e shkeljes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës nga ana e Rusisë”.

Ata premtuan të përmirësonin efiçencën energjitike, të zhvillonin një përzierje të gjerë të furnizimit energjitik, përfshi gazin natyror të lëngshëm (LNG), burimet e rinovueshme dhe tubacionet e reja të gazit, si dhe të investonin në forcimin e infrastrukturës ekzistuese të rrjetit të furnizimit.

Por, ata pranuan se nuk ka alternativa të menjëhershme të këtyre veprimeve. Gazi argjilor amerikan nuk pritet të ndihmojë Europën të paktën deri në fund të kësaj dekade, kur ai do të mund të importohet nga tanket si gaz i lëngshëm.

Si Italia dhe Franca theksuan mbështetjen e tyre për projektin e tubacionit “Rrjedha e Jugut”, që do të sjellë gaz nga Rusia në Europë duke anashkaluar Ukrainën, ndërkohë që deklaruan gjithashtu nevojshmërinë për të krijuar edhe kanale të reja alternative.

Rreth 1/3-ta e importeve të gazit në Europë vjen nga Rusia, teksa thuajse gjysma e kësaj kalon përmes Ukrainës, që ndodhet tashmë në një tjetër ngërç me eksportuesin rus “Gazprom” për punën e çmimit, e treta grindje kjo në dekadën e fundit.

Deklarata përfundimtare e takimit përqendrohej në nevojën për të diversifikuar burimet e energjisë dhe në krijimin e infrastrukturës së gazit dhe ndërlidhjen. “Jemi angazhuar të nisim një ndryshim hapi sistematik dhe të qendrueshëm për të përmirësuar sigurinë energjitike në rang kombëtar, rajonal dhe global”, thanë ministrat.

Top Channel