Ukrainë, tërhiqen pro-rusët

05/05/2014 00:00

Pro-rusët u tërhoqen pas ofensivës së trupave ukrainase në Slloviansk, në lindje të Ukrainës. Agjencia ruse e lajmeve “Interfaks” raporton se “trupat qeveritare morën nën kontroll kullën e transmetimit të një televizioni dhe kryengritësit u tërhoqën më thellë brenda qytetit”.

Pati raportime për të shtëna të shumta pranë qendrës së Sllovianskut, ndryshe nga ditët e fundit. Por ekipi i BBC-së që mbërriti në qendrën e qytetit tha se, “ai është relativisht i qetë”.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se një helikopter ushtarak është rrëzuar nga militantët pro-rusë në afërsi të qytetit. Ekuipazhi i helikopterit ka mbijetuar kryesisht sepse mjeti ka rënë në një lum. Ky është helikopteri i tretë që rrëzohet nga pro-rusët në ditët e fundit.

Ministri i Brendshëm ukrainas tha se disa ushtarë u vranë gjatë luftimeve në periferi te qytetit. Arsen Avakov nuk dha një shifër të saktë të të vrarëve, por foli për mbi 8 ushtarë ukrainas të plagosur gjatë një prite në periferi të Sllovianskut.

Ofensiva ushtarake që ka shtuar frikën e banorëve që mbështesin pro-rusët vjen disa ditë pasi këta të fundit goditën dy helikopterë ukrainas.

Të djelën, kryeministri Arseniy Yatsenyuk, që foli pas dhunës në Odesa ku humbën jetën mbi 40 persona, akuzoi Rusinë se ka një plan shkatërrimin e Ukrainës”.

Moska paralajmëroi të hënën se dështimi për të ndaluar përshkallëzimin e situatës mund të kërcënojë procesin e paqes në të gjithë Europën.

Moska i bëri thirrje Ukrainës dhe bashkësisë ndërkombëtare që të bashkojnë forcat për t’i dhënë fund racizmit dhe ksenofobisë, intolerancës etnike dhe glorifikimit të nazizmit, një referencë për ekstremistët që Rusia pretendon se po “bëjnë shkelje masive të të drejtave të njeriut në Ukrainë”.

Top Channel