Trishtimi i kapitenit Javier Zanetti

05/05/2014 00:00

Derbi më i shëmtuar për Javier Zanettin. Nuk ka të bëjë humbja e Interit, shkaku i trishtimit të legjendës së zikaltërve ishte fakti se qëndroi në stol për 90 minuta në derbin e tij të fundit si lojtar.

Kapiteni nuk kishte asnjë problem fizik, thjesht ishte një zgjedhje e Mazzarrit lënia e tij në stol. Një vendim që nuk i ka pëlqyer aspak tifozëve të Interit, të cilët do të donin që Zanetti të kishte luajtur të paktën disa minuta.

Numri 4 vuajti shumë gjatë ndeshjes dhe kjo gjë u pa qartë në shprehjen e tij të fytyrës kur Mazzarri kreu edhe zëvendësimin e fundit.

Sigurisht që Zanetti nuk e meritonte këtë pasi është një lojtar që ka shkruar historinë e Interit dhe nuk ishte e drejtë qëndrimi në stol në derbin e tij të fundit. Të gjithë do të donin ta shikonin në fushë, përfshirë tifozët e Milanit.

Interistët kanë shprehur zemërimin e tyre në rrjetet sociale dhe vështirë se do ia falin ndonjëherë trajnerit Mazzarri trajtimin që i rezervoi kapitenit legjendar të skuadrës së tyre në atë që mund të ishte derbi i tij i 46.

Top Channel