Slloveni, kryeministrja jep dorëheqjen

05/05/2014 00:00

Kryeministrja e Sllovenisë i paraqiti dorëheqjen Parlamentit, pas humbjes së zgjedhjeve brenda partisë së saj “Slovenia Pozitive”, më tepër se një javë më parë. Alenka Bratusek bëri thirrje për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme muajin e ardhshëm.

44-vjeçarja arriti ta udhëhiqte me sukses Slloveninë, gjatë krizës ekonomike të Eurozonës vitin e kaluar, por – siç bëri të ditur dhe vetë, pas diskutimeve me kryetarët e tre partive të koalicionit, – u konstatua se për vendin është më mirë të zhvillohen zgjedhje të reja, madje që përpara kësaj vere.

Edhe pse këto përpjekje po bëhen për të shmangur mungesën e qëndrueshmërisë së qeverisjes, kriza politike rrezikon seriozisht të dëmtojë ristrukturimin e ekonomisë. Situata e re krijon për Slloveninë një goditje të rëndë në tregun financiar ndërkombëtar, ndërsa kostot e financimit janë rritur dukshëm.

Kryeministrja e dorëhequr paralajmëroi mbi rrezikun e një përfshirjeje nga paniku, i cili do të godiste drejtpërdrejtë ekonominë. Mosmarrëveshjet e brendshme, edhe me zgjedhjet e reja, e bëjnë të vështirë krijimin e marrëdhënieve të qëndrueshme politike.

Tashmë, Parlamentin prej 90 deputetësh e përbëjnë përfaqësues nga shtatë parti dhe tre ligjvënës të pavarur, si dhe nga një përfaqësues i minoritetit italian dhe hungarez, ndërsa akoma më e rëndë është situata e forcës kryesore politike “Slovenia Pozitive”, në radhët e së cilës dominon lufta për pushtet.

Top Channel