Lufta për titullin kampion në Spanjë

05/05/2014 00:00

Atletico Madrid është e vetmja skuadër që varet vetëm nga vetja për të fituar titullin kampion në Spanjë. Edhe pse u mund të dielën nga Levante, bardhekuqve i mjaftojnë 4 pikë në dy ndeshje për t’u shpallur kampionë.

Edhe Barcelona kishte mundësi të kishte në dorë kampionatin nëse Reali nuk do të kishte barazuar në fund ndeshjen me Valencian.

Ja llogaritë:

Atletico Madrid e ka të thjeshtë. Me Malagën në shtëpi dhe me Barcelonën në trasnfertë, Atleticos i duhen 4 pikë për titullin. Mund të shpallet kampion që të dielën nëse Reali nuk fiton dy ndeshjet e kësaj jave apo nëse Barcelona nuk fiton në Elche.

Real Madrid mund të shpallet kampion vetëm nëse fiton 3 ndeshjet e mbetura dhe Atletico lë 3 pikë në 2 ndeshjet e saj. Reali do të luajë me Valladolid dhe Celta jashtë, për ta mbyllur me Espanyol në Bernabeu.

Barcelona e ka më të vështirë. Katalanasve i duhet që Reali të mos fitojë një nga 3 ndeshjet që i kanë mbetur. Nëse kjo ndodh, atëherë ka gjithçka në dorë për t’u shpallur kampion. Do i mjaftonte të fitonte me Elchen jashtë dhe me Atletico Madrid në Camp Nou.

Top Channel