La Liga, Simeone: Janë 3 javët më fantastike

05/05/2014 00:00

Trajneri i Atletico Madrid, Diego Simeone, sheh përpara “3 javë fantastike” për synimin e ekipit të tij për t’u shpallur kampionë të La Liga-s, për herë të parë që prej vitit 1996, edhe pse pësuan një goditje të madhe këtë fundjavë, kur “Los Colchoneros” u mposhtën 2-0 nga Levante.

Pas barazimit surprizë të Barcelonës në shtëpi, ndaj Getafe-s të shtunën, kryesuesit e Atletico-s e dinin se nëse do të fitonin 2 ndeshjet e radhës ndaj Levante-s dhe Malaga-s, ata do të mund të shpalleshin kampionë pa u zhvilluar java e fundit, kur do të ndeshen me kampionët në fuqi të Barçës.

Gjithsesi, liderët e kampionatit hodhën një hap fals, duke u dhënë sërish shpresa rivalëve për titull, Barcelonës dhe Real Madrid, të cilët u ndalën të dielën në mbrëmje në një barazim 2-2 me Valencia-n, në “Santiago Bernabeu”.

Por, Simeone sheh përpara drejt faktit që titulli mund të vendoset në “fotofinish”, teksa thotë se “kjo është gjëja më e mirë që mund të ndodhë për ne, sepse na mban ende gjallë me intensitetin dhe kënaqësinë që të dhuron kjo lojë, përgjatë këtyre 3 javëve të ardhshme të karrierës sonë sportive me Atletico Madrid”. “Ky është momenti ideal, ku njerëzit dhe futbollistët do të tregojnë veten e tyre. Është koha e duhur për të përjetuar 3 javë fantastike”.

Simeone lavdëroi Levante-n për përpjekjet e tyre, duke shtuar se “ata luftuan, e gjetën golin shumë shpejt dhe u mbrojtën shumë mirë. Portieri i tyre bëri një performancë të shkëlqyer. Ne u përpoqëm në disa mënyra, por nuk mundëm të barazonim ndeshjen, për të qenë më të rehatshëm”.

“Goli erdhi pas një mënyrë të çuditshme loje dhe ekipi u përpoq më pas duke krijuar shumë shanse për të shënuar, por portieri i tyre zhvilloi një ndeshje të madhe. Ky ishte realiteti dhe duhet të vlerësojmë ekipin fitues. Levante luajtur shumë mirë”.

Top Channel