Kurdët eksportojnë naftë

05/05/2014 00:00

Ankaraja njoftoi se nafta që kontrollohet nga qeveria rajonale e
Kurdistanit në Irak do të shitet në tregjet ndërkombëtare por kjo mund
të sjellë pasoja diplomatike globale.

Prej muajit dhjetor, nafta rrjedh nga rajoni gjysmë autonom i Kurdistanit drejt stacionit turk në Çeihan. Në fakt, nafta ruhej ketu, por meqe terminali është i tejmbushur, zyrtarë nga Ankaraja dhe Qeveria rajonale e Kurdistanit janë të mendimit të nisin shitjet.

Aktualisht po eksportohen në Turqi, rreth 100 mijë fuci naftë në ditë dhe sasia pritet të rritet.  Disa analistë janë të mendimit se ky hap fuqizon idenë e pavarësisë së rajonit të Kurdistanit, gjë që vë në pikëpyetje integritetin territorial të Irakut. Sipas tyre “nafta është një factor që mban të bashkuar Irakun e sotëm”.

Nga ana e saj, Turqia është përfshirë në disa projekte zhvillime në rajonin kurd si: ndërtimi i aeroportit, hoteleve dhe rrugëve, madje dhe supermarketeve. Sinan Ulgen, studiues në Institutin Carnegie ne Bruksel thotë se Ankaraja po përfiton, ndërsa Emre Iseri politolog dhe ekspert i energjise në Universitetin Jasar në Izmir është i mendimit se ky bashkëpunim dëmton marrëdheniet mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara. Uashingtoni ka kritikuar disa herë Ankaranë për bashkëpunimin për energjinë me rajonin duke anashkaluar Bagdadin.

Sipas kushtetutes irakiane, qeveria qendrore është autoriteti i vetëm për të shpërndarë dhe shitur rezervat energjitike të vendit.
Qeveria e Nuri Al Malikit ka paralajmëruar se të drejtat e kurdëve mbi 17 % të rezervave të naftës varen nga detyrimi për të shitur naftën përmes kompanive shteterore, por kurdët i kanë shpërfillur paralajmërimet e Bagdadit dhe i kanë shitur Turqisë miliona fuci naftë. Ekspertet rajonale janë të mendimit se rajoni kurd, një prej më të sigurteve dhe te qendrueshmëve në Irak për biznesin, pritet të rrisë të ardhura me shitjen e parë të naftës këtë muaj.

Top Channel