Klimë lufte në lindje të Ukrainës

05/05/2014 00:00

Katër ushtarë ukrainas janë vrarë në afërsi të qytetit lindor të Slovianskut, ku militantët pro-rusë rrëzuan një tjetër helikopter të ushtrisë.

Mendohet se bandat e armatosura po përdorin armatimeve të kalibrit të lartë, kundër njësive të Kievit të përfshira në operacionin anti-terror. Humbje ka pasur edhe në mesin e rebelëve.

Separatistët janë tërhequr në qendrën e qytetit, që – sipas korrespondentëve në vendngjarje, – aktualisht duket e qetë.

Sloviansku me 125 mijë banorë, i konsideruar fortesë e rebelëve, mbetet i rrethuar nga trupat ukrainase.

Tensionet e larta në rajon kanë shtyrë Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, të nisë një përpjekje tjetër për ndërmjetësim në konflikt. Ministria e Jashtme e Zvicrës njoftoi se ministri i Jashtëm, njëkohësisht drejtues i radhës i OSBE-së, Didier Burghalter, të mërkurën do të udhëtojë drejt Moskës, ku pritet të takohet me presidentin rus Vladimir Putin.

Vizita e Burkhalters në Moskë ka qenë pikërëndesa kryesore e telefonatës së kancelares gjermane Angela Merkel me Putinin, të zhvilluar këtë të diel.

OSBE duhej të organizonte disa tavolina të rrumbullakta në nivel vendor në Ukrainë, ku palët do të bisedonin për mundësinë e organizimit sa më të mirë të zgjedhjeve presidenciale, më 25 Maj.

Kryediplomati gjerman Frank-Walter Steinmeier mendon se është mirë të mbahet edhe një Konferencë e dytë në Gjenevë, kushtuar Ukrainës. Në takimin e parë, Ukraina dhe Rusia kanë rënë dakord për çarmatimin e grupeve të armatosura, por pakti nuk u vu asnjëherë në zbatim.

Steinmeier mendon se palët duhet të arrijnë “marrëveshje shumë të qarta, të cilat edhe duhet të realizohen menjëherë, me qëllim që kriza të zgjidhet me mjete politike”.

Top Channel