Kryeministri i Ukrainës ka fajësuar shërbimet sekrete të vendit për dështimin e ndaljes së dhunës në qytetin jugor të Odessa-s, ku mbetën mbi 40 persona të vdekur.
Arseniy Yatsenyuk tha për BBC se do të kërkohet një “hetim i plotë, gjithëpërfshirës dhe i pavarur” për ngjarjen e ditës së premte. Shumica e viktimave ishin separatistë pro-rusë, të cilët vdiqën nga një zjarri të rënë në godinën ku ishin futur, për t’i shpëtuar përplasjeve me protestues pro-Kievit.
Komentet e kryeministrit vijnë në një moment kur trupat ukrainase kanë rrethuar bastionin e pro-rusëve të Sloviansk-ut, në Lindje. Yatsenyuk tha mbi dhunën në Odessa se “personalisht fajësoj shërbimet e sigurisë se nuk kanë bërë asgjë për ta ndalur këtë përleshje”.
Gjithsesi, ai fajëson edhe grupet pro-ruse se kanë “provokuar trazirat” në rajonet lindore të vendit. Ai shton se Rusia dhe protestuesit pro-rusë janë orkestruesit “e një lufte reale, për të eliminuar Ukrainën dhe për të anuluar Pavarësinë e ukrainasve”.
I pyetur në lidhje me grupet pro-ruse, të cilët kanë marrë shumë ndërtesa në qytetet lindore të vendit, ai tha: “Ende nuk e kemi humbur kontrollin e plotë… shumë gjëra do të varen nga popullsia lokale, nëse ata duan të dalin në mbështetje të paqes dhe sigurisë, apo pro trazirave”.
Trupat ushtarake ukrainase kanë rrethuar bastionin pro-rus të Sloviansk-ut në Lindje të vendit, teksa rezidentët shprehen të frikësuar se do të sulmohen. Për momentin, ushtarët duken se janë përqendruar në rimarrjen e ndërtesave qeveritare nga separatistët, në qytetet më të vogla përreth Sloviansk-ut.
Grupet pro-ruse kanë reaguar të irrituar ndaj vdekjeve të disa separatistëve në zjarrin e rënë në Odessa, në Jug të vendit, ditën e premte, ku u shënuan shumë viktima pasi u bllokuan brenda një ndërtese në qytet.
Korrespondentja e BBC në qytetin më të madh të rajonit, Donjeck, bën të ditur se ndërsa forcat ukrainase kanë bllokuar rrugët e hyrje-daljeve në Sloviansk, ata janë duke u fokusuar kryesisht në periferitë e qytetit, madje në krahinat më të vogla fqinje.
Sipas saj, e cila ka biseduar edhe me një qytetar të Sloviansk-ut, njerëzit atje janë nervozë dhe tepër të frikësuar, pasi presin luftime të ashpra kur qyteti të mësyhet nga forcat ukrainase. Disa persona janë raportuar të vdekur në përplasjet përreth Sloviansk-ut, të shtunën.
Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se një pikë kontrolli u hoq gjatë natës, kur janë raportuar edhe të shtëna me armë zjarri në Kostyantynivka dhe Mariupol, ndërkohë që forcat ukrainase po përpiqen të rimarrin zyrat qeveritare.
E shtuna pati gjithashtu edhe luftime përreth Kramatorsk-ut, ku forcat ukrainase rimorën ndërtesën e policisë, kullën e televizionit dhe zyrat e shërbimeve sekrete SBU. Të paktën 2 persona mbetën të vrarë në qytet.
Megjithatë, korrespondentët bëjnë të ditur se tensionet janë rritur edhe më shumë pas vdekjeve në Odessa, pasi aktivistët pro-rusë në Luhansk dhe Donjeck vazhdojnë të sulmojnë ndërtesat qeveritare.
Një i armatosur pro-rus në Mariupol i vuri flakën dy barrikadave dhe videot tregojnë një degë të bankës PrivatBank të digjej, një bankë që zotërohet nga guvernatori i Dnipropetrovsk-it pro-Kievit.
Rreth 42 viktima u shënuan në Odessa të premten, shumica e të cilëve nga një zjarr në Dhomën e Sindikatës së Tregtisë, kur protestuesit separatistë bllokuan veten pas arratisjes nga luftimet me aktivistët pro-Kiev.
Top Channel