Obama satirizon rivalët dhe Putin-in

04/05/2014 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama ka shfrytëzuar darkën e përvitshme me korrespondentët e Shtëpisë së Bardhë, për të hedhur batuta në lidhje me politikën e tij të kujdesit shëndetësor, kundërshtarët e tij politik, si dhe Vladimir Putin-in.

Politika e kujdesit shëndetësor ka pasur probleme serioze të fushës së IT-së, gjë që detyroi Obama-n ta hidhte një batutë me sfond elektronikën. “Në vitin 2008, slogani im ishte ‘Yes, we can’ (Po, ne mundemi). Ndërkohë që në vitin 2013 e ndryshova sloganin në ‘Control-Alt-Delete’!”, duke përmendur emrat e tri tasteve të tastierës.

Ai bëri gjithashtu shaka me komentatorët mediatik, për mahninë e tyre të dukshme ndaj gjoksit të zotit Putin. Dhjetra figura të larta, gazetarë e politikanë, morën pjesë në darkën e përvitshme.

Tematika e “healthcare.gov”, nisma kryesore e politikës së tij gjatë mandatit të dytë, zuri pjesën më të madhe të bisedës. Presidenti bëri disa referenca në lidhje me keqfunksionimin e kompjuterit. “A di ndonjëri se si ta riparojmë këtë?”, pyeti ai, duke pretenduar se projektori mbi kokën e tij nuk punonte. Sekretarja e Shëndetësisë, Kathleen Sebelius, e cila dha dorëheqjen si pasojë e problematikave me IT, u ngrit në këmbë dhe tha: “Unë di, e kam bërë disa herë”.

Presidenti përdori më pas Putin-in, si një përpjekje për të satirizuar komentatorët konservatorë dhe kundërshtarët e tij politik.

“Vitin e kaluar, Pat Buchanan tha se Putin po shkonte drejt çmimit Nobel për Paqe. Të them të drejtën, ata mund t’ia japin kujtdo atë çmim këto ditë, kështu që edhe mund të ndodhë”, tha ai. Obama është nderuar me këtë çmim në vitin 2009, kur ishte kandiduar për Nobelin pas jo më shumë se 2 javësh në krye të Shtëpisë së Bardhë. “Republikani Mike Huckabee dhe komentatori Sean Hannity vazhdojnë të flasin për gjoksin e tij, që është diçka jo e zakontë”.

Eventi i bamirësisë zhvillohet tradicionalisht nga presidentët për të ironizuar kundërshtarët e tyre, por edhe për të qeshur vet gjithashtu.

Top Channel