Kërkohet legalizimi i marijuanës

04/05/2014 00:00

Rrugët e Buenos Aires-it u mbushen të shtunën me njerëz që nuk kërkonin kushte më të mira pune, paga më të larta apo rritje të standartit të jetesës.

Ajo që pretendonin demonstruesit në kryeqytetin argjentinas ishte e drejta për legalizimin e kultivimit dhe zotërimit të marijuanës.

Mbështetësit e substancës së ndaluar u mblodhën në ‘Plaza de Mayo’, përpara godinës së presidencës, me veshje ku ishin stampuar fotografi të bimës narkotike apo dhe me syze në formën e gjetheve të saj.

Një pjesë e mirë e tyre pinin hapur cigare me marijuanë. Një prej demonstruesve, Matias Faray, shpjegon përse është i bindur se ligjërimi do të ndihmonte luftën kundër narkotikëve.

“Ne sot na dërgojnë në burg vetëm po të na gjejnë ndonjë sasi të vogël, kështu që shteti, nuk na ndëshkon për konsumin e saj, por për faktin që e kemi me vete dhe që e kultivojmë. Në këtë mënyrë, vetë autoritetet na detyrojnë të blejmë nga trafikantët. Ajo që ne duam është të kultivojmë marijuanën tonë e të jetojmë në paqe, sepse ligji kundër saj po na e kthen jetën përmbys”,  tha Matias Faray, mbështetës i legalizimit të marijuanës në Argjentinë.

Në tubim ishte i pranishëm edhe deputeti i Partisë Punëtore Socialiste, Nicolas del Cano, i cili është shprehur: Ne mendojmë se është e rëndësishme të bëhen hapa para sa i takon legalizimit të marijuanës e t’i jepet fund penalizimit të personave që e konsumojnë atë hapur. Në përgjithësi, njerëzit e pranojnë se ligjet në fuqi janë ndëshkuese e praktikisht cënojne liritë individuale.

Marshimi erdhi vetëm një ditë pasi zyrtarët në Uruguain fqinjë njoftuan parametrat për shitjen dhe kultivimin e ligjshëm të kësaj bime në vendin e tyre.

Top Channel