Irlandë, lideri i Sinn Fein vijon paraburgimin

03/05/2014 00:00

Lideri i Sinn Fein, Gerry Adams ka kaluar natën e tretë në qeli në
lidhje me vrasjen në vitin 1972 të Jean McConville, nënë e ve e 10
fëmijëve.

37-vjeçarja u rrëmbye dhe u vra nga anëtarët e IRA-s, ku në atë kohë bënte pjesë edhe Adams, si përfaqësues politik i saj. Trupi i McConville u gjet në një plazh në kontenë Louth në vitin 2003.

Policia në Irlandën e Veriut ka kohë deri pasditen e së dielës që ta akuzojë ose ta lirojë zotin Adams, pasi gjyqtari i dha të premten 48 orë shtesë arrestit.

Adams, 65 vjeç, mohon përfshirjen e tij në rrëmbimin dhe vrasjen e gruas. Përfaqësuesi i Sinn Fein, Gerry Kelly deklaroi se çdo orë që zoti Adams kalon në qeli rrit irritimin e elektoratit të partisë së tij.

Duke folur jashtë komisariatit të policisë ku Adams u dorëzua vullnetarisht ditën e mërkurë, Kelly tha: “Arrestimi ishte i pajustifikuar dhe sipas të gjitha gjasave edhe zgjatja e arrestit është po ashtu e pajustifikuar”.

“Natën e kaluar dola derë më derë duke pyetur qytetarët dhe irritimi i tyre ishte i dukshëm. Dhe jo të gjithë ata ishin simpatizantë të Sinn Fein”, deklaroi Kelly.

Sinn Fein ka deklaruar se arrestimi është kryer posaçërisht pak kohë para zgjedhjeve. Ndërsa Partia për Bashkim Demokratik, DUP, tha se arrestimi tregoi se askush nuk është mbi ligjin.

Adams është një ish-deputet për zonën perëndimore të Belfastit dhe aktualisht është një përfaqësues i zgjedhur i Kontesë Louth në Republikën e Irlandës.

Zonja McConville u rrëmbye përpara fëmijëve të saj pasi akuzohej se ishte një informatore e shërbimeve sekrete angleze, një akuzë që u përgënjeshtrua nga një hetim i kryer nga policia gjyqësore e Irlandës së Veriut.

Top Channel