Veliaj: Politikat që do të krijojnë vende pune

02/05/2014 00:00

Në Tiranë po vijon të qëndrojë i hapur prej 2 ditësh panairi i punës, i cili me shumë gjasa do të shtyhet deri ditën e diel.

Gjatë së enjtes, në ditën e 1 Majit, panairi u vizitua nga Kryeministri Rama si edhe nga ministri Veliaj, i cili ishte në një lidhje në “Revistën Televizive të Mbrëmjes”.

Ministri i Mirëqenies Sociale ka folur mbi organizimin e panairit, synimet e tij, incidentin e ndodhur gjatë së enjtes, por edhe për politikat se ku do të fokusohet qeveria për të përmbushur premtimin e dhënë për krijimin e 300 mijë vendeve të reja të punës.

Pandi Gjata: Çfarë solli ky panair, ka diçka konkrete apo është simbolik?

Erion Veliaj: Sigurisht që ka gjëra konkrete, ka 6 mijë mundësi konkrete për punësim. Është hera e parë që ne organizojmë një panair të tillë, në thelb është një zyrë e madhe punë. Kjo është një mundësi e mirë që të gjitha kompanitë kryesorë që ofrojnë vende punë të jenë të gjitha në një zyrë. Sigurisht që ka edhe simbolikë është ajo e 1 Majit. Vitet e tjera 1 Maji është organizuar më koncerte të sponsorizuara nga taksapaguesit, ndërsa ne bëmë diçka të sponsorizuar nga biznesi. E kemi organizuar në Pallat të Kongreseve ku për 23 vjet udhëheqësit janë duartrokitur për fjalime bajate, ndërsa nuk kanë ofruar punë, kjo është për kontrast. Në 1 Maji qeveria duhet të organizojë oferta konkrete pune. Ofrohen 6 mijë vende punë nga rreth 100 kompani. Ka disa punë që nuk janë shumë të sofistikuara që mund t’i bëjë një student ose dikush që nuk ka arsimin përkatës, ka disa punë të tjera të sofistikuara si inxhinier ndërtimi, si kimist ushqimor, bankier dhe financier. Shumëllojshmëria është edhe për ata që kanë pak arsim edhe për ata që janë më të arsimuar. Kjo është një menu që ka një punë për këdo.

Pandi Gjata: Besoj se i keni dëgjuar edhe akuzat e opozitës, por pati edhe një incident me zotin Rama nga persona që janë pushuar nga puna.

Erion Veliaj: Unë besoj që politika e mirë bëhet me vepra konkrete. Unë nuk besoj që panairi i sotëm është një zgjidhje ideale për çështjen e punësimit, por është shumë më mirë e të mos bërit asgjë dhe të ndoturit me fjalë. Kjo opozitë që sot akuzon ka organizuar 8 koncerte për 1 Maji, i fundit, me vlerë 500 mije euro, shkaktoi që shumë ish-zyrtarë të ministrisë ku unë punoj të jenë në burg pasi abuzuan me paratë e taksapaguesve, duke e kthyer 1 Majin në një ceremoni ku bëheshin para. Sa për incidentin, unë dhe Kryeministri e takuam kryetaren e Partisë Demokratike të Kombinatit i ofruam një punë nëse vërtet ishte inxhiniere ndërtimi, zonja e refuzoi qartazi, nuk ishte për të punuar, por kërkonte të vazhdonte të shërbente në Drejtorinë e Rrugëve, ku ryshfeti ishte më i madh për ato 10 mijë kilometra rrugë që nuk u bënë kurrë. Opozita ka mundësi të na tregojë me vepra se aty ku është di të organizojë diçka të tillë. Jam shumë krenar sot që kemi rilindur shërbimin kombëtar të punës. Nuk kemi arritur ambiciet tona, por kemi bërë shumë në pak muaj.  

Pandi Gjata: Keni premtuar në fushat për krijimin e 300 mijë vende të reja pune. Cilat janë politikat që ju do të fokusoheni për të krijuar këto vende të reja pune?  

Erion Veliaj: Qeveria nuk është ajo që i hap vendet e punës, por krijon kushtet që biznesi të avancojë dhe të krijojë vende pune. Nga fillimi i Tetorit, kur ne morëm detyrën dhe deri në fund të Prillit institucioni që unë mbuloj ka regjistruar 25 mijë më shumë punë marrës se sa shifra që ishte kur ne morëm detyrën. Kjo qeveri krijoi kushtet dhe në ditët e saj të para të ketë një rezultat kaq pozitiv. Sot është një aktivitet, por zyrat e punës në 5 qytete kanë gjeneruar ndërlidhjen për 5 mijë vende pune. Ne presim fundin e Qershorit për të parë edhe rezultatet 6 mujore.

Pandi Gjata: Parashikimet tuaja deri në Qershor janë?


Erion Veliaj:
Deri në qershor besoj që ne do të kalojmë mbi 30 mijë vende pune. Ajo që siguron ky panair është që me këto 6 mijë vende pune ne e kemi kaluar këtë objektiv.

Pandi Gjata: Na kanë munguar zyrat e punës, ky panair apo politikat për punësim?


Erion Veliaj:
Është një paketë. Në ditën e dytë të panairit ne shpjeguam atë që quhet “fondi i punësimit”, kjo është diçka tjetër për të cilën opozita nuk mund të flasë, pasi ky fond ekzistonte prej 8 vitesh dhe asnjë nuk e dinte, paratë ndaheshin si ryshfet. Sot, në mënyrë transparente, në faqen tonë shkp.gov.al çdo biznes mund të aplikojë për të aksesuar 2.7 milion dollarë, të cilat ne i japim si subvencionim për 4 rroga dhe të gjitha sigurimit shoqërore për 1 vit. Këto subvencione janë për ata që punësojnë të rinj, gra dhe vajza, për praktikat studentore, për punësimin e njerëzve me aftësi të kufizuara dhe për ata që punësojnë njerëz duke i hequr nga lista e ndihmës ekonomike. Edhe me politike të tilla, sidomos me Fondin e Punësimit, ne synojmë punësimin e 4 mijë personave, më pas do të fillojmë me paketën tjetër, e cila është 5 milion dollarë për fasonët.

Pandi Gjata: Për çfarë arsye panairi do të shtyhet edhe për 2 ditë?

Erion Veliaj: Kemi pasur një fluks kërkesash. Ka pasur edhe njerëz nga qytete të tjera që kanë dashur të vinë në Tiranë për panairin, kështu që kemi vendosur ta shtyjmë atë edhe për të shtunën dhe të dielën. Është një nisëm që në këto 2 ditë tregoi që funksionon. Gjatë muajit që vjen ne do të hapim edhe zyrat e reja të punës, duke filluar me Korçën. E di që ambiciet tona janë të larta, e di që po bëjmë maksimumin, i respektoj ata që janë kundër, megjithatë Shqipëria do të eci përpara. Kjo qeveri do të bëjë të pamundurën për të fuqizuar biznesin, për të hapur vende të reja pune.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA