Spanjë, 700 emigrantë sulmojnë kufirin

01/05/2014 00:00

Disa qindra emigrantë nga Afrika nënsaharaine kanë sulmuar të enjten në mëngjes kufirin që ndan Melillan, enklava spanjolle në Veri të Afrikës, nga Maroku.

Rreth 700 persona kanë ngjitur rrjetën me tela me gjemba. Policia spanjolle ka zmbrapsur pjesën më të madhe të tyre, por autoritetet deklarojnë se rreth 140 emigrantë kanë arritur të kalojnë.

Sipas policisë iberike, emigrantët arritën në dy faza. E para me 500 persona në mëngjes dhe e dyta me 200 vetë më vonë gjatë ditës. Ndonëse kanë qenë dy grupe të ndara, policia dyshon se kanë qenë të organizuara.

Rreth 100 persona qëndruan për një kohë të gjatë mbi barrierë, duke u përpjekur të shtynin policinë me pishtarë të improvizuar me rroba të cilave u ishte vënë flaka.

Kontrollet në kufirin iberiko-maroken nisën në shkurtin e kaluar, kur në një tentativë për të hyrë më not në Seuta, një tjetër enklavë spanjolle, të paktën 15 emigrantë u mbytën.

FOTO GALERI
2/3

Top Channel