NBA, D’Antoni largohet nga LA Lakers

01/05/2014 00:00

Mike D’Antoni nuk do të jetë trajneri i Los Angeles Lakers për sezonin e ardhshëm pas një kampionati katastrofik që skuadra kaliforniane zhvilloi nën drejtimin e tij.

Kështu përfundon marrëdhënia e nisur në 12 nëntor 2012, kur Lakersat larguan trajnerin e atëhershëm Mike Brown pas 4 humbjesh në 5 ndeshjet e para edhe pse skuadra kishte në gjirin e saj lojtarë si Bryant, Gasol, Nash dhe Howard.

D’Antoni firmosi një kontratë 3-vjeçare për 12 milionë dollarë, por kontrata e tij është zgjidhur me marrëveshje. Trajneri do të marrë gjysmën e pagës që i takonte për sezonin 2014/15.

Los Angeles Lakers përfunduan sezonin e rregullt me 27 fitore dhe 55 humbje, rekordi më i keq në histori dhe duket se kjo paraqitje vulosi fatin e trajnerit.

Mediat amerikane kanë publikuar listën e emrave që mund ta zëvendësojnë D’Antonin: Derek Fisher, Steve Kerr, Kevin Ollie, Billy Donovan, Mike Krzyzewski dhe Byron Scott.

Top Channel