Ayrton Senna, historia e një fenomeni

01/05/2014 00:00

“Mund të jesh i mirë në jetë, përgjatë gjithë ditëve, por nëse tregohesh i mirë në sportin tonë nuk mund të fitosh kurrgjë”.

Fjalë këto të thëna nga Ayrton Senna, të cilat edhe pas kaq shumë vitesh janë ende domethënëse për të nënvizuar ndarjen më dysh mes njeriut – i ndjeshëm dhe xhentil, – dhe pilotit – i pamëshirshëm dhe maniak i përsosmërisë.

“Pistat e garave janë në venat e mia”, tregonte Ayrton teksa niste të garonte në moshën 13-vjeçare me “go-kart”-et, shumë pak popullore, në kampionatet amerikano-jugore. Më pas erdhi dhe vendimi për të emigruar në Itali, për t’u bërë një pilot profesionist.

Kërkoi të thirrej Da Silva, me mbiemrin e të atit. Në pistë ishte një fenomen, por titullin botëror nuk mundi ta merrte. Momenti i dytë deciziv në karrierën e të riut Ayrton shënohet në 1981-shin, kur stabilizohej në Angli dhe debutonte në Formula Ford.

Në timonin e 1600-ave fitonte dy kampionate angleze, e më pas rikonfirmohej kampion me 2000-kubikshit. Më pas kaloi në Formula 3. Kampionati anglez, historikisht ka qenë më selektivi dhe, për të shpërthyer, Ayrton Da Silva theu çdo rekord të asaj kategorie: 12 fitore, 15 pole position dhe 13 xhiro të shpejta në 20 gara.

Performanca të jashtëzakonshme, të cilat gjithsesi nuk mjaftuan për t’u futur në Formula 1, nga “hyrja kryesore”. Më në fund, e kontrakton Toleman, një skuadër e fundit të klasifikimit. Gjatë kësaj kohe, Ayrton vendos të përdorë mbiemrin e së ëmës, Senna.

Pavarësisht kompetivitetit tepër të dobët të makinës së tij, fenomeni nga Sao Paulo shfaqet triumfalisht në Çmimin e Madh të Monakos, duke dalë i dyti në një garë ku pati edhe reshje shiu.

Në vitin 1985 e kontrakton Lotus, ku do të qëndronte deri në vitin 1987, teksa i dhuroi periudhën e fundit të lavdisë skuadrës angleze. Në vitin 1988 kaloi te McLaren dhe aty zbuloi se sa e vështirë ishte të bashkëjetoje me një shok skuadre të nivelit të lartë. Bëhet fjalë për Alain Prost.

Dyshja e McLaren kaloi dy sezone dramatike. Në 1988 fiton Senna, ndërsa një vit më vonë i takon Prostit, i cili në pistën e Suzuka-s tenton kurthin, i cili i kushtoi titullin botëror Ayrton-it.

Hakmarrja erdhi një vit më pas, gjithnjë në Japoni. Prost kaloi te Ferrari dhe duelonte për kampionatin me Senna-n. Në nisje, braziliani shënjestron makinën e francezit dhe e nxjerr jashtë në kthesën e parë. Ayrton shpallet kampion bote. Hakmarrja u përmbush.

Por, për atë veprim, një xhest që mund të konsiderohej një tentativë “vrasjeje-vetvrasjeje”, piloti brazilian pendohet më pas. Senna qëndroi te McLaren deri në 1993, teksa në 1991 fitoi titullin e tretë dhe të fundit, duke mposhtur Mansell, pavarësisht inferioritetit të McLaren krahasuar me Williams-in.

Pikërisht Williams. Falë intuitës gjeniale të projektuesit Adrian Newey, ishte kjo skuderia e viteve ’90. Në vitin 1992 fitoi botërorin me Mansell, ndërsa në 1993 me Prost.

Senna deklaroi se “piloti më i fortë duhej të garonte me makinën më të fortë”. Ndaj dhe në 1994 Senna firmosi me Williams. Pavarësisht situatës së shkëlqyer teknike, Senna nuk arriti të ngjitej në majat e tij. Diskutonte shpesh me Neëey, nuk kishte besim te makina dhe kishte shumë probleme me timonin. Po, pikërisht sepse Ayrton vazhdonte të përdorte një timon të rrumbullakët dhe grushtet e tij preknin në pjesën e sipërme të kabinës.

Makina nuk mund të riprojektohej, ndaj dhe Newey kërkoi të përmirësohej duke hequr pjesë karboni dhe duke punuar mbi dimensionet e kabinës së pilotit. Sezoni nis keq. Në Sao Paulo, pistën e vendlindjes së tij, del nga pista dhe fiton Schumacher me Benetton. Në Japoni pengohet nga Hakkinen në kthesën e parë.

Ishte pikërisht momenti i Imola-s, ku Senna mbërrinte me zero pikë në klasifikim, ndërsa në kampionat Schumacher kishte grumbulluar pikët e plota. Ayrton nuk ishte i qetë dhe për ta komplikuar edhe më shumë gjendjen e tij shpirtërore ndikuan dy episode dramatike.

Të premten, 20 Prill, Rubens Barrichello përplaset dhe shpëton për mrekulli. Një ditë më pas vdes piloti austriak Roland Ratzenberger, i cili përplaset me makinën e tij “Simteck” me muret në kthesën “Villeneuve”. Senna dukej një njeri i shkatërruar.

Endej në bokse tepër i trishtuar, por ishte i ndërgjegjshëm që të dielën do të duhej të garonte. E nis nga pole position për të tretën herë radhazi dhe kampionati i tij, praktikisht, nis në “Imola”. Gjatë garës ndodh një incident dhe “Safety Car” futet në pistë. Kur rifillon gara, Senna imponon një ritëm ferri për të ndalur Schumacher, por gjermani nuk dorëzohet dhe e ndjek hap pas hapi Williams-in.

Në xhiron e 7 vjen dalja nga pista në kthesën “tamburello”, që merret si të ishte rrugë e drejtë. Shumë të tjerë, përpara Senna-s, janë përplasur me atë mur, por më 1 Maj 1994 ndodhi diçka jo e zakonshme. Kaska e Senna-s është lakuar nga njëra anë, ndërsa ndërhyrja e ndihmës së shpejtë ofroi idenë e një drame tragjike. Udhëtimi dëshpërues me helikopter drejt spitalit të Bolonjës shërben vetëm për të ndryshuar orën dhe vendin e ndarjes nga jeta.

Shkaku i vdekjes së tij ishte një pjesë e amortizatorëve, që pas përplasjes ishte futur në pjesën e shikimit si të ishte një plumb. Shkak i incidentit? Dështimi i sistemit të drejtimit, pikërisht mbi të cilin kishin punuar teknikët e Williams. Në makinë u gjet një flamur austriak, gati për t’ia dedikuar Ratzenberger.

Që prej atëherë, Formula 1 nuk ka qenë kurrë më si dikur dhe mbeten ende dyshimet, se si do të kishte evoluar historia e këtij sporti, nëse Senna do t’i kishte mbijetuar atij incidenti. Jean Todt tregon se Ayrton ishte shumë pranë akordit me Ferrari-n për vitin 1995…

Në pllakën e varrit të tij, në Morumbi, është shkruar: “Asgjë nuk mund të më ndajë nga dashuria e Zotit”.

FOTO GALERI
1/16

Top Channel