20 vjet pa Senna-n, Alonso: Ishte idhulli im

01/05/2014 00:00

Në “Imola”, Fernando Alonso e kujton kështu Ayrton Senna-n, 20 vjet nga vdekja tragjike e tij.

“Për mua ishte një idhull. Isha vetëm një fëmijë dhe garoja me kart, nga ana tjetër shihja lajmet në televizion dhe vëreja se Formulën 1 e fitonte vetëm ai, me atë kaskën e gjelbër”.

Piloti spanjoll i Ferrari-t ka theksuar më tej se “Ayrton do të jetë i pavdekshëm”. I emocionuar është shfaqur edhe Raikkonen. “Duhet ta kujtojmë me buzëqeshje, sepse ai shënoi një kthesë të madhe në Formula 1”.

“Është një moment shumë prekës, shumë emocionues rikthimi në memorie i asaj fundjave, ku Ayrton dhe Roland Ratzenberger u ndanë papritur nga jeta”, vazhdoi më tej Kimi.

Alonso zbulon se ishte i afeksionuar nga kaska e tij e gjelbër. “Ishte pikërisht ajo kaskë që më bënte më shumë për vete. Posterin e tij e kam pasur në dollapin tim. Për fat të keq nuk pata shansin ta njihja, apo të garoja me të, por të shohësh gjithë këta njerëz në ‘Imola’, të cilët e kanë ndjekur gjithnjë në këtë pistë, tregon se sa gjurmë të thella ka lënë ai në historinë e njerëzimit”.

Prezent në “Imola” ka qenë edhe miku i tij, Riccardo Patrese. “Ayrton ishte një mik, ndoshta më i madhi që kam pasur. Një person me një humanitet të jashtëzakonshëm, tip sportiv që luante edhe futboll me ne. Më kujtohet në grup gjatë pushimeve që bënim, ishte tepër i vendosur dhe luftarak. Na ka lënë një shije të hidhur me largimin e tij, por vazhdojmë ta kujtojmë atë si një legjendë”.

FOTO GALERI
1/15

Top Channel