Fatos Baxhaku – Shumëkush prej nesh është ankuar dhe ankohet ende se
është politika jonë, pra ata që kemi pasur mbi krye, jo vetëm në këta 20
vjet, por edhe më parë, ajo që duhet cilësuar si fajtore kryesore për
prapambetjen që ende e shohim të na ndajë nga Europa, nga kontinenti në
të cilin pretendojmë me të drejtë të jemi.
Më saktë që na kanë ndarë nga Perëndimi, ku përfshihet në tërësi pjesa më e zhvilluar e botës.
“Me të drejtë” është një togfjalësh që ha diskutim. Si e meritojmë me të drejtë të bëjmë pjesë tashmë edhe institucionalisht në Perëndim? Vetëm nëpërmjet historisë? A mjafton Gjergj Kastrioti, Frang Bardhi, Pjetër Budi, Gjergj Fishta, vëllezërit Frashëri, Luigj Gurakuqi, Fan Noli, Faik Konica, Mehdi Frashëri, Eqrem bej Vlora, patër Anton Harapi, Ahmet Zogu vetë? Mbase po, mbase jo. Historianët ende diskutojnë me zell mbi këtë pikë. Ka shumë pikëpyetje që mund t’i lindin qoftë edhe shqiptarit më të thjeshtë në lidhje me këtë çështje. Më e para është: A duhet të merremi me të shkuarën, a ka gjasë që sikur të merremi me të na ngatërrohen edhe më keq këmbët se ç’na janë ngatërruar deri më tash? Dhe e dyta, mirë, le ta zëmë se politika na e paska krejt fajin. Mirëpo nga kjo pyetja e dytë lind një e tretë: A i kemi nxjerrë ne politikanët nga gjiri ynë, apo ka ndodhur e kundërta, ata na kanë bërë ne? Sigurisht që përgjigjja e vetme është që politikanët tanë të të gjitha kohërave kanë qenë pjesë e dalë nga ne, nga populli shqiptar.
Po atëherë si shpjegohet që një popull me interesa kaq të theksuara perëndimore, e ka ende të vështirë të bëjë qoftë edhe gjërat më të thjeshta, të cilat mjafton t’i kopjojë nga fqinjët perëndimorë që i ka afër vetëm 70 kilometra. Ndarja e pushteteve, marrëdhëniet leale pozitë-opozitë, respektimi i pronës, krijimi i një administrate funksionale dhe të qëndrueshme, funksionimi real i Drejtësisë, një sistem arsimor i aftë që të përballojë peshën e së ardhmes, një ekonomi ku secili ta ndiejë veten në garë të barabartë, në fund të fundit një Atdhe, që individi ta ndiejë thellësisht si të tillë, të gjitha këto janë objektiva, shpresa, ëndërrime, qëllime që shumë prej nesh i kanë pasur me kohë në mendje, por që ende janë larg të qenët të realizuara. Ka gjithnjë një ngërç që na lidh këmbët e mendjen, ka përherë një lak që na err sytë dhe pastaj mundohemi të kërkojmë shkaktarët që zakonisht janë jashtë nesh. Asnjëherë, me përjashtim të individëve të veçantë të shënjuar politikisht, shkakun nuk e kemi gjetur ende brenda nesh. Meqë tash jemi në pragun e një kapërcimi të madh edhe zyrtar në drejtim të Perëndimit, pra në pranimin e statusit si shtet kandidat, është rasti të shohim gjithnjë e më tepër kah vetja dhe për këtë na ndihin gjërat që kanë ndier e shkruar njerëzit tanë më të shquar. Njëri prej tyre, shkrimtari shqiptar ende më i njohur matanë detit, Ismail Kadare, në esenë e tij “Mosmarrëveshja”, të botuar më 2010, ka hedhur nga të parët idenë se ne, pra Shqipëria, para se të rregullojë raportet me të tjerët duhet të paktën të njohë raportet e saj me veten. Të gjithë “aventurën” e gjatë e të mundimshme që nga 1912 e deri më sot ai e quan, me të drejtë “rikthim në kontinentin mëmë”. Dhe ky rikthim, me sa duket, nuk ka të bëjë vetëm më të kryerit e zellshëm të detyrave formale të shtëpisë, por me një përmbysje të vërtetë në kryet tanë, një përmbysje e cila, ka shumë gjasë që nuk ka ndodhur ende.
“…Enigma ishte më e thellë, më e keqe – shkruan Kadare – ajo kishte lidhje me energjinë penguese që nuk lejonte mpiksjen e Shqipërisë. Përgjithësisht, ajo përftohej si diçka e jashtme: perandoria osmane në radhë të parë, grekët dhe sllavët fill pas saj. Kishte kohë që ishin dhënë të gjitha shenjat se ishte një energji tjetër, më e keqe se kjo treshe zymtore, që pengonte, por shqiptarët bënin sikur s’e shquanin dot. Dhe ishte e natyrshme të bënin ashtu. Shpjegimi ishte i thjeshtë: pengesa kryesore ishin ata vetë.
Një energji e tillë nuk ishte e panjohur. Çdo popull kishte në gjirin e vet një energji të kundërt. Rimohuesit ishin të vjetër sa bota. E keqja e Shqipërisë ishte se sasinë e rimohuesve e kishte tepër të lartë. Më të lartë se caku i lejueshëm, pas të cilit kombi përmbysej”.
Këtë koment, shkrimtari e ka bërë për fillesat e brishta të shtetit shqiptar, por ai mund të shkojë fare mirë edhe sot, kur, nga njëra anë shtiremi sikur jemi europianë që në kohë të fëmijërisë, dhe nga ana tjetër, ndoshta pa e kuptuar as vetë, sillemi si anadollakë të dy shekujve më parë. A nuk janë shumë prej nesh që luajnë bajraktarin edhe kur nuk kanë më bajrak për të ngritur? Po ashtu, a nuk ka shumë prej nesh që e vuajnë deri në palcë heshtjen e rrallë të bajraktarit? Një lider ku të varim shpresat, të bëjmë tifozllëk, dhe ne ta shtyjmë kohën në kafe me diskutime të gjata pa bukë. Cili prej nesh në mos e ka bërë, nuk e ka parë a dëgjuar këtë skenë? E pra ky qëndrim ndaj vendit e vetes vjen që nga koha e “energjisë penguese” për të cilën bën fjalë Kadareja.
Si shumë prej fqinjëve tanë ne kemi dalë nga mentaliteti i një perandorie thellësisht orientale. Thuajse në të gjithë Ballkanin, por mbase më shumë te ne, ideja e shtetit është baras me idenë e sundimtarit. Sundimtarit i bindesh, i bën lajka e elozhe, i ruhesh si vetë shejtanit. Ai vendos për gjithçka, pa pasur nevojë që individi të vrasë mendjen. Ai, sundimtari, beu, pashai, kadiu, agai, haznedari – le ta quajmë si të doni – është vetë shëmbëlltyra e Allahut mbi tokë. Njeriu i thjeshtë nuk ka përse ta vrasë mendjen për të përmirësuar jetën e tij. “Ai, Ay” e di vetë se ça bën. Mirëpo ky servilizëm anadollak në dukje aq besnik, e ka edhe një anë tjetër, atë të konsideruarit të shtetit si një njeri, si një individ të cilit edhe mund t’ia hedhësh, duke ruajtur të njëjtën maskë të qeshur prej dallkauku. A nuk është shteti një gjë që ma kanë imponuar? Në kohët e sotme, këta njerëz janë të parët që bërtasin: Në Shqipëri nuk bëhet shtet, ani pse i shkelin të gjitha ligjet dhe rregulloret e mundshme.
“Energjia penguese” dhe këmbëngulja e saj mund të shfaqet në një mijë e një mënyra, porse në një gazetë nuk është vendi dhe as koha për t’i shpalosur të tëra. Vetëm një anë nuk mund ta lëmë pa përmendur. Në shekullin XIX konsujt perëndimorë në Shkodër, Vlorë, Janinë, Prizren a Durrës çuditeshin edhe vetë me pushtetin që pa pritur u kishin hedhur në prehër. Mjaftonte një e vrenjtur e thellë sysh prej tyre dhe e gjithë administrata osmane vihej në alarm: I ka mbetur hatri konsullit!
Sot në një pjesë goxha të rëndësishme të shoqërisë shqiptare, ku në radhë të parë përfshihet politika, media dhe shoqëria civile, janë sërish “konsujt” ata që vendosin për gjithçka. Ata dalin në tv qoftë edhe kur dalin për piknik, edhe kur shkojnë për qoka familjare, edhe kur bëjnë takime të përditshme pune, edhe kur flasin gjëra të ditura e të stërthëna. Madje edhe kur vendosin që shqiptarët të shtrëngojnë duart njëri me tjetrin. Sa kohë që do të vendosin konsujt dhe jo vetë ne se kur do të shtrëngojmë sinqerisht duart me njëri-tjetrin, do të jemi sërish këtu duke diskutuar pa fund për historinë, fajet, fajtorët dhe rruga e mundimshme drejt rikthimit në kontinentin, të cilit i përkasim, do të na duket gjithnjë e më e vështirë, ani pse me letra mund të jemi fare në rregull.
Gazeta “Shqip”
Top Channel