Superiore, Skënderbeu shpallet kampion

30/04/2014 00:00

Skënderbeu shpallet për të katërtin vit radhazi kampion i Shqipërisë. Skuadra korçare, e drejtuar nga Mirel Josa, kurorëzoi me sukses punën e një sezoni të tërë, të cilin e dominoi nga fillimi deri në fund, duke marrë titullin e pestë në historinë e vet.

Skënderbeut i mjaftoi barazimi 3-3 me Kukësin, që të mbyllë 2 javë para përfundimit të Superiores luftën për titull, pasi diferenca me vendin e dytë, që mbahet nga Kukësi, është 7 pikë.

Për korçarët shënuan Pero Pejiç dhe Ribaj, ndërkohë që për kuksianët shënoi Çikalleshi dhe Hysa. 2 golat e shënuar në portën e Kukësit i forcojnë pozitat e kroatit Pejiç në krye të listës së golashënuesve, dhe e afrojnë atë gjithnjë e më shumë pranë trofeut “Këpuca e Artë”.

Partizani u mund 2-0 në Laç, humbje kjo që i kushton kryeqytetasve vendin e dytë në klasifikim. Tirana vazhdon serinë e rezultateve pozitive, duke mundur 2-3 Kastriotin, ndërkohë që Teuta fitoi 0-2 me Lushnjen, tashmë të rënë në Kategorinë e Parë.

Vllaznia arriti të marrë në fund një fitore minimale ndaj Flamurtarit, falë golit të Beqirit. Ky 3 pikësh vazhdon ta mbajë skuadrën shkodrane jashtë listës së ekipive, që sezonin e ardhshëm do të zbresin një kategori më poshtë.

Dy javët e fundit të Superiores do të vendosin se cilat skuadra nga kampionati do të marrin pjesë në Europa League dhe se cili do të jetë ekipi tjetër, që do t’i bashkohet Bylisit, Lushnjes dhe Kastriotit në Kategorinë e Parë, prej nga ka siguruar ngjitjen mes më të mirëve ekipi i Elbasanit dhe shumë pranë këtij objektivi është edhe Apolonia e Fierit.

Top Channel