Fullani: Ekonomia, kthese gjatë 2014-s

30/04/2014 00:00

Banka e Shqipërisë thotë se ekonomia shqiptare do të pësojë kthesë gjatë vitit 2014, megjithë problemet që u evidentuan në tremujorin e parë të këtij viti.

“Rritja ekonomike do jetë më e balancuar, duke u mbështetur në kërkesën e brendshme e të huaj. Përmirësimi i klimës së biznesit do bëjë që sektori i ekonomisë të përfitojë nga stimujt, duke inkurajuar konsumin”, ka deklaruar guvernatori Ardian Fullani.

Sipas guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, edhe tregjet financiare në tremujorët në vazhdim do të përmirësohen më shpejt nga pritshmëritë.

“Perceptimi i bizneseve për tregjet financiare ka shfaqur një përmirësim më të shpejtë sesa pritjet tona. Politika jonë monetare ka kontrolluar pritjet e agjentëve ekonomikë për inflacionin, ka zbutur rrezikun e likuiditetit dhe inflacionit në tregje, duke ulur rrezikun në tregun bankar, në tregun e letrave me vlerë, etj”, ka saktësuar Fullani.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.75 për qind.

Top Channel