“Teatri Shëtitës” në Greqi

29/04/2014 00:00

“Teatri Shëtitës” është ndalur në Athinë, ku ka ngjitur në skenën e Teatrit Argo pjesën e Roberto Athayde “Zonjushë Margarita”, nën interpretimin e Luiza Xhuvanit, me regji të Kiço Londos.

Një pjesë që trajton temën e dhunës dhe diktatit. Një monolog afro 65 minuta,  interpretuar kryesisht në shqip, por edhe greqisht për publikun shqiptar e grek.

“Zonjushë Margarita” është vënë në skenat greke disa kohë më parë nga artistë të cilët komentuan versionin shqiptar të pjesës.

Regjisori Theodoros Grampsas thotë: “E njoh shumë mirë këtë vepër pasi e kam vënë në skenë para dy vitesh. Ishte një spektakël tepër i veçantë, ishte një punë e përsosur për të gjithë komponentët.”

Aktorja Xheni Stavropulu thekson: “Ishte një punë e mrekullueshme dhe u entuziasmova për nivelin lartë të teatrit shqiptar.”

Një tjetër aktore, Lila Kafandari, nënvizon: “Ajo që pashë ishte përtej asaj që imagjinoja.”

Top Channel