Draft-reforma në arsimin e lartë

29/04/2014 00:00

Për të zhdukur korrupsionin, por edhe për të ndërhyrë në themel të universiteteve në mënyrë që të rritet cilësia e tyre dhe e studentëve kërkohen masa të forta, të cilat duhet të aplikohen me rigorozitet.

Raporti i Komisionit për reformimin e plotë të arsimit të lartë, i drejtuar nga Profesor Arian Gjonçaj, i cili do të aplikohet në një periudhë tre-vjecare, ndalet tek rivendosja e mesatares, krijimi i Agjencisë Kombëtare për Aplikimin në Universitete, në  ndryshimin e skemës së financimeve të universiteteve edhe në mbylljen  e sistemit me kohë të pjesshme si një skemë e dështuar mësimdhënie.

“Në tre vitet e para ne duam të shëndoshim sistemin, të përmirësojmë cilësinë e mësimdhënies, e punës kërkimore dhe shkencore, të ndryshojmë formën e financimit. Në fazën e dytë do të kalojmë tek krijimi i këtij sistemit të unifikuar dhe të standardizuar”, thotë profesor Arian Gjonçaj.

Profesor Gjonçaj tregon se modeli anglo-sankson i cili është përzgjedhur për arsimin e lartë shqiptar, mbështet idenë e krijimit të universiteteve publikë.

“Universiteti shtetëror të kalojë në universitet publik ku ndodhin dy gjëra shumë të rëndësishme. Duke i ndryshuar statusin dhe duke e bërë në një fondacion i jep një frymëmarrje, një pavarësi të madhe qoftë organizative, qoftë në mënyrën si gjeneron të ardhurat dhe i krijon mundësi të tjera për të gjeneruar këto të ardhura, ndaj është parë nga përvoja e disa vendeve që ky model sjell cilësi”, shton Gjonçaj.

Për herë të parë do të krijohet një agjenci ku maturantët do të dërgojnë kërkesat e tyre për të aplikuar në tre universitete.

“Merr formëne  aplikimit të studentit që mund të ketë zgjedhur tre universitete dhe tre degë të ndryshme dhe i kontrollon në bazë të të dhënave që ka nëse ky student i plotëson kriteret e kërkuara për të  aplikuar në këto vende dhe e shpërndan formën e aplikimit të këtij studenti në universitetet përkatëse që ka zgjedhur studenti. Kjo ka disa të mira, e para eliminon abuzimin në hyre, rrit standardin dhe e kontrollon atë dhe treta e kthen atë parim të rëndësishëm tek studenti, studenti është ai që zgjedh institutin më të mirë dhe ai që zgjedh mban edhe përgjegjësinë e tij për zgjedhjen e bërë”, shpjegon profesor Gjonçaj.

Financimi i studentëve për fazen e tre viteve të para të studimit, pra Bachelor do të bëhet nga shteti, ndërsa Masteri duhet të përballohet nga studentët.

Top Channel