Denoncimi i KLSH për konçesionet

29/04/2014 00:00

Një audit i Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi koncesionet në energjetikë ka faktuar se zyrtarisht denoncimet se shumë nga kontratat koncesionare janë fituar nga sekserë të cilët i kanë shitur ato në treg.

Kontrolli, i cili referohet periudhës 2010-2012 ka konstuar një sërë rastesh ku fituesit i kanë transferuar aksionet deri në masën 100%, e madje edhe menjëherë pas fitimit të tenderit dhe lidhjes së kontratës koncesionare.

Një skemë sipas të cilës, njerëz të përfolur si të afërm me pushtetin shfrytëzonin lidhjet e tyre për të fituar koncesionet dhe më pas i shisnin ato në treg.  Sipas KLSH, shitja masive e lejeve i ka kompromentuar marrëveshjet e koncesionit duke u krijuar hapësira privatëve të shmangin përgjegjësitë dhe të mos përmbushin  detyrimet që u rrjedhin nga kontrata që kanë nënshkruar me shtetin shqiptar.

Por vec kësaj, KLSH evidenton edhe një sërë shkeljesh të tjera, që nga ndryshimi i kushteve teknike pas fitimit të koncesionit e deri tek mosrealizimi i investimeve dhe prodhimit të parashikuar në kontratë.

Për këto arsye KLSH i ka kërkuar Ministrisë së Energjisë që të ndërmarrë një sërë masash deri edhe në kushtëzimin me ligj për të ndaluar fituesit që të shesin më shumë se 49 për qind të aksioneve të koncesionit.

Paralelisht KLSH rekomandon edhe rishikimin e strategjisë kombëtare për të bërë të mundur shfrytëzimin e ujërave pa përkeqësuar jetën e banorëve, si dhe për të lehtësuar mbikqyrjen e zbatimit të kontratave nga privatët.

Top Channel