Zidane kërkon Pogba te Real Madrid

28/04/2014 00:00

Në garën për të siguruar shërbimet e mesfushorit francez të Juventus, Paul Pogba, është futur edhe Real Madrid. “Los Blancos”, siç zbulon “France Football”, janë hedhur në sulm falë Zinedine Zidane, i cili i ka telefonuar mesfushorit të talentuar për ta bindur të transferohet në Spanjë gjatë merkatos së ardhshme.

Zëvendës/trajneri i “merengues”-ve ka kontaktuar edhe Antonio Conte-n për të krijuar bazat e nevojshme për futjen në tratativa. Sytë nga francezi i kanë hedhur edhe Paris SG dhe Bayern Munchen, por gjithçka që mund të ndodhë do ta shohim duke filluar nga muaji Qershor, ndoshta pas Botërorit.

Real Madrid, bën të ditur revista franceze, është i interesuar për mesfushorin, që kur në pankinë ishte Jose Mourinho, por interesi për të u sfumua për shkak të paqartësisë në lidhje me të ardhmen e teknikut portugez në pankinën e madrilenëve.

Përkundrazi, tani që në krye të tyre është Ancelotti, trajneri italian ka nisur të mendojë për të ardhmen, e veçanërisht për një zëvendësues të Xabi Alonso-s. Ish-trajneri i Milanit ka luajtur “xholin” e parë (Zidane) për të nisur tratativat me Juventusin. Tashmë i takon PSG dhe Bayern-it të kundërpërgjigjen.

Gjithsesi, bardhezinjtë shpresojnë që Pogba të qëndrojë, por përpara një shifre prej 70 milionë eurosh do të jetë vërtet e vështirë të mos lihet i lirë për t’u larguar.

Top Channel