Sergio Ramos: Champions-i, ëndrra ime

28/04/2014 00:00

Një figurë qendrore, si në kuptimin e plotë të fjalës edhe në atë metaforik, në përballjen e parë gjysmëfinale të Champions League, të fituar 1-0 nga Real Madrid ndaj Bayern Munchen, Sergio Ramos tashmë është një hap larg realizimit të “ëndrrës” së tij.

Ramos ka fituar thuajse gjithçka që është për t’u fituar në futboll, qoftë në nivel klubi edhe në nivel ndërkombëtar, me përjashtim të atij trofeu, që do të thotë shumë më shumë se sa 1 trofe për Madridin.

Por, nëse “merengues”-it arrijnë të eliminojnë Bayern-in në Gjermani, ditën e martë, Ramos do të ketë një shans më shumë për medaljen e parë të artë në një kompeticion europian, si prestigjiozja Champions League, e cila do të dorëzohet më 24 Maj në Lisbonë.

“Për mua është një ëndërr të fitoj Champions-in”, tha Ramos për UEFA.com. “Jam vërtet me shumë fat që kam fituar thuajse çdo titull të mundshëm në nivel profesional, por më ka mbetur vetëm ky trofe pa ngritur. Asnjëherë nuk ka qenë një fiksim apo një ‘dashuri e veçantë’ për mua, por kur të mungon vetëm diçka në CV-në tënde, me siguri që është pikërisht ajo që të tërheq vëmendjen. Ky trofe nënkupton diçka më shumë. Nuk ka qenë një fiksim i vazhdueshëm, por thjesht do të thotë një realizim ëndrre. Nëse do të mund të ngrej më në fund edhe këtë trofe, do të ishte diçka e jashtëzakonshme dhe tepër e gëzueshme”.

Top Channel