Robben: Realin e pret ferri në “Allianz Arena”

28/04/2014 00:00

Arjen Robben po përpiqet të “frikësojë” kundërshtarin e radhës në
mesjavë, Real Madrid, të cilët – sipas tij – do ta ndiejnë të nxehtin e
“Allianz Arena”-s të Mynihut, ku do të zhvillohet edhe takimi i kthimit
të gjysmëfinaleve të Champions League, të martën, mes Bayern-it dhe
Real-it.

Madrilenët kanë mbërritur në kryeqytetin bavarez me avantazhin e fitores minimale 1-0, në takimin e parë në “Santiago Bernabeu”, falë golit të Karim Benzema, të mërkurën e kaluar.

Real nuk ka fituar asnjëherë në Mynih, ku regjistron 8 humbje dhe 1 barazim, por Bayern-it i duhet të shënojë të paktën 2 gola për t’u kualifikuar në finalen e Lisbonës. Madridi shënon gjithashtu një rekord të përgjithshëm negativ në Gjermani, me vetëm 2 fitore, 19 humbje dhe 6 barazime, e megjithatë, Real eliminoi ekipe të Bundesligës, si Schalke dhe Borussia Dortmund, për të avancuar deri në gjysmëfinalen ndaj bavarezëve.

Ndërkohë që Bayern synon të arrijë në finalen e katërt të Champions-it në 5 vitet e fundit, madrilenët nuk mund të presin gjë tjetër veçse një “mirëseardhje” të ngrohtë nga tifozët vendas në gjigantin prej 70 mijë vendesh, “Allianz Arena”.

Robben, i cili kaloi 2 sezone me Real Madrid, përpara se të transferohej në Mynih, në vitin 2009, tha se “merengues”-it as nuk mund ta çojnë nëpër mend se çfarë i pret në Bavari.

“Është e qartë që ata do të vijnë me shumë besim, kjo për shkak të rezultatit në Madrid, por ata e dinë shumë mirë që këtu nuk mund ta kesh të lehtë një përballje”, tha Robben. “Ne nuk kemi asgjë për të humbur nesër (të martën). Sigurisht, ata nuk do të vijnë të shqetësuar, por e dinë mirë që s’do ta kenë të lehtë. Stadiumi në Mynih do të jetë tepër i zjarrtë, do të japin maksimumin e tyre dhe kjo gjë dihet. Ne kemi nevojë për fansat tanë dhe për mbështetjen e tyre. Megjithatë jemi ne, 11 lojtarët në fushë dhe 7 të tjerët në stolin e rezervave, ata që duhet të japim gjithçka nga vetja jonë, pasi edhe ne kemi besim shumë të madh që mund të shkojmë më tej”.
 
Lideri i gjigantëve të Bundesligës, Karl-Heinz Rummenigge, e ka nxehur edhe më tepër situatën në Mynih, duke thënë se “miqtë, ashtu si çdo ekip tjetër kundërshtar i yni, e dinë shumë mirë që do të gjenden në ferr”, kur shkelin në “Allianz Arena”.

Por, trajneri i Real-it, Carlo Ancelotti, është përgjigjur ironikisht: “Shpresojmë që pemët të digjen ditën e mërkurë, jo të martën, por vetëm pasi të largohemi ne”, është shprehur tekniku italian, pas fitores së thellë 4-0 në La Liga kundër Osasuna-s, në fundjavë.

Uellsiani Gareth Bale, i cili e nisi nga pankina ndeshjen e parë për Real, është rikuperuar nga situata gripale, ndaj dhe Ancelotti pritet të aktivizojë treshen “vdekjeprurëse” të sulmit Bale-Benzema-Cristiano Ronaldo, teksa portugezi tregoi edhe njëherë se problemi me gjurin e tij është lënë pas krahëve, me dygolëshin e shënuar në fundjavë për kampionat.

“Nuk do të jetë më e lehtë për ne, nëse Ronaldo dhe Bale luajnë që nga minuta e parë”, shtoi Robben. “Ne jemi surprizuar nga loja e tyre mbrojtëse në Madrid. Megjithatë, na duhet të luajmë në sulm dhe të shënojmë gola, pavarësisht se do të duhet të kujdesemi edhe për kundërsulmet e tyre”.

Pasi kanë dështuar të kalojnë turin e gjysmëfinaleve në 3 vitet e fundit, Reali e kërkon “me dëshpërim” finalen e Lisbonës, që do të luhet më 24 Maj, ndërsa Bayern kërkon të bëhet ekipi i parë që rikonfirmohet kampion Europe, duke fituar Champions-in për herë të dytë.

“Jemi të motivuar mjaftueshëm”, tha Robben. “E dimë që Madridi kërkon ‘të dhjetën’ në Europë, por jemi ende të uritur dhe e dimë se mund të hyjmë në histori me këtë ekip që kemi, ndaj dhe kemi po të njëjtin motivim si ata. Të dy ekipet kanë objektiva madhore”.

Top Channel