Pep: Kam lexuar që Reali paska fituar Champions

28/04/2014 00:00

Pep Guardiola, trajneri i Bayern Munchen, përdori ironinë për të dhënë mendimin e tij për ndeshjen gjysmëfinale që do të përballë skuadrën e tij me Realin e Madridit: “Kam lexuar që Reali e ka arritur tashmë finalen e Champions dhe ne jemi eliminuar. Jo vetëm që e ka arritur, por ka fituar edhe trofeun. Kështu kam lexuar në shtypin spanjoll.”

Ribery – Është një lojtar shumë i rëndësishëm për skuadrën. Ndaj Werderit luajti shumë mirë në pjesën e dytë. Duhet të tregohet agresiv pasi na ndihmon shumë një lojë e tillë nga ana e tij. Na duhet versioni i tij më i mirë për t’u kualifikuar.

Shpejtësia e Realit – Nuk mund të ndalohen as nga mbrojtësat më të shpejtë në botë. Unë jam i mendimit që është më mirë që skuadrat e mira t’i mbash larg zonës tënde dhe për këtë arsye ne luajmë kështu. Ne mund të mbrohemi, por ata do të luajnë me krosime dhe do të fitojnë goditje dënimi që më pas do të ekzekutohen nga specialistë si Bale dhe Cristiano. Nuk është e lehtë të luash ndaj Realit.

Allianz Arena – Kemi nevojë për tifozët. Nuk kam çfarë i them pasi ata e dinë fare mirë se çfarë duhet të bëjnë në stadium. Ata do na ndihmojnë, por golat duhet t’i shënojmë ne.

Filozofia e tij – Më pëlqen shumë që të mbaj topin. Dua që të mbaj topin në mënyrë që të kem raste dhe të mos pësoj sulme. Nuk më pëlqen që të mbaj topin 90 minuta dhe të kem vetëm dy raste. Dua që skuadrat e mia të mbajnë topin në mënyrë që të kemi shumë raste.

Top Channel