BE, akord paraprak për sanksionet e reja

28/04/2014 00:00

Qeveritë e Bashkimit Europian kanë arritur një marrëveshje paraprake të hënën, për të vendosur ngrirje të tjera asetesh dhe ndalime udhëtimi për 15 persona të tjerë, si pjesë e fushatës për rritjen e sanksioneve ndaj Rusisë bëjnë të ditur diplomatët, si rezultat i veprimeve të saj në Ukrainë.

Procedura e BE-së për aprovimin e sanksioneve nuk mund të përfundojë përpara orës 17:00, por ajo shihet si një formalitet, deklarojnë më tej diplomatët e BE-së. Emrat e atyre që do t’i shtohen listës së parë të sanksioneve nuk do të bëhen publik, jo më parë se sa të publikohen në Gazetën Zyrtare të BE-së, të martën.

Vendimi i BE-së koincidoi me njoftimin e Shtëpisë së Bardhë, se Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të tjera kundër 7 rusëve, përfshi këtu edhe Igor Sechin, kreun e kompanisë më të madhe ruse të naftës “Rosneft”, si dhe ndaj 17 kompanive të tjera të afërta me presidentin rus, Vladimir Putin.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë shumë më tepër agresivë me ndëshkimet e saj ndaj Rusisë, krahasuar me Bashkimin Europian ku bëjnë pjesë 28 kombe, pasi këta varen së tepërmi nga Rusia për shkak të energjisë.

BE ka vendosur më parë ngrirje asetesh dhe ndalime udhëtimi për 33 rusë dhe krimeanë, për ndikimin e tyre në aneksimin e Krimesë nga Rusia, muajin e kaluar.

Komisioni Europian i BE-së po harton një listë me sanksione më të ashpra ekonomike, që mund t’i vendosen Rusisë, por BE është e përçarë mes vendeve që janë pro veprimeve më të ashpra, ku bëjnë pjesë Britania, Franca, Polonia, Suedia, Danimarka, Çekia dhe vendet Baltike, si dhe atyre që janë ngurruese, si Italia, Greqia, Qipro, Bullgaria, Hungaria, Luksemburgu, Austria, Spanja, Portugalia dhe Malta.

Top Channel