
Kërkimet për avionin e zhdukur të “Malaysia Airlines” kanë hyrë në një fazë të re pasi kontrollet nënujore nuk nxorrën asgjë në dritë.
Kryeministri australian Tony Abbot sqaroi se do të verifikohet një sipërfaqe shumë më e gjerë, e fundit e oqeanit, përpjekje kjo që pritet të zgjasë për muaj të tërë.
Një avion nuk mund të zhduket kështu, tha Abbott, i cili shtoi se ka megjithatë pak gjasa që ndonjë pjesë e mjetit të dalë në sipërfaqe. Për këtë arsye, kërkimet nga ajri janë pezulluar.
Fluturimi MH370 humbi nga radarët në 8 mars. Avioni i nisur nga Kuala Lumpuri drejt Pekinit, me 230 persona në bord, u zhduk diku mbi detin e Kinës Jugore, shumë larg rrugës së planifikuar.
Autoritetet deklarojnë se, bazuar në të dhënat satelitore besojnë se mjeti fluturues e përfundoi udhëtimin e tij në perëndim të qytetit australian të Perthit.
Ato ende nuk kanë dhënë një arsye të saktë përse avioni fluturoi aq larg kursit të përcaktuar. Gjetja e kutive të zeza konsiderohet si çelësi për të zbardhur sa ndodhi, por deri tani, pavarësisht disa shpresave, as ato nuk janë gjetur.
“Sot bëhen 52 ditë që kur avioni i “Malaysia Airlines” u zhduk dhe unë jam këtu për t’ju informuar se kërkimet do të hyjnë në një fazë të re”, deklaroi Abbot në një konferencë shtypi.
Deri tani, shtoi ai, shumë pjesë të objektit do të kishin dalë në sipërfaqe, kështu që operacionet e mëtejshme do të fokusohen në “kërkimin në dyshemenë e oqeanit në një zonë shumë më të gjerë”.
Top Channel