Zukatja e avionëve fantazmë

27/04/2014 00:00

Fatos Baxhaku – Andej diku nga mesi i viteve ’80 të shekullit të shkuar, në kulmin e urisë, që kishte do kohë që kishte pllakosur, zyrtarët e strehimit të asaj kohe i kishte gjetur vërtet belaja.

Problemi i strehimit kishte nisur vërtet të bëhej një plagë e madhe shoqërore, një plagë që nuk po kontrollohej dot as me shpikjet e reja të ndërtimeve parafabrikate dhe as me punën dërrmuese “vullnetare”. Tirana në rritje kishte vazhdimisht uri për apartamente të reja, ajo nuk po ngopej dot me mundësitë e pakta të shtetit tashmë të rrënuar. Bash në këtë kohë erdhi haberi se askush nuk pranonte të strehohej në katin përdhes të një banese te “Bërryli” në anë të Unazës. Thuhej se kjo banesë, në të cilën kishte banuar një e moshuar e vetmuar, ishte e nëmur. Një fantazmë – disa thonë e gruas që dha shpirt e vetmuar – dilte natën dhe zbavitej duke u kallur datën njerëzve që guxonin të strehoheshin aty. Thuhej, madje me bindje të plotë, se e kishin provuar të sfidonin këtë mynxyrë dy familje të guximshme, një nga Skrapari e tjetra nga Kurveleshi, por nuk e kishin përballuar dot. Të dyja kishin ikur të lebetitura nga sytë këmbët. Shtëpia për shumë kohë mbeti bosh me gjithë punën bindëse të instruktorëve të Komitetit të PPSH-së së Rajonit 1 të kryeqytetit. Andej nga fundi i historisë u tha edhe një herë me bindje të thellë se edhe vetë instruktorëve u ishte fanitur fantazma e plakës që gajasej së qeshuri me njerëzit pa shtëpi. Dhe fantazma kishte vërtet të drejtë. Ishte për t’u gajasur.

Sikurse shihet, ndonëse e izoluar nga tela me gjemba e nga bunkerë të sertë, edhe Shqipëria u prek nga një nga njëri prej fenomeneve më të përhapura të epokës moderne: nga legjendat urbane. Dhe kur kishim aq fantazi në kulmin e diktaturës, imagjinoni se ç’mund të bëjmë në kulmin e lirisë, të celularëve dhe të internetit!?

Legjendat urbane janë ato histori të pabesueshme, asnjëherë të provuara, që transmetohen gojë më gojë, nga njerëz anonimë. I gjithë thelbi i atyre që i rrëfejnë është, së pari, që t’i bëjnë ato sa më të besueshme të mundshme dhe, së dyti, që ta vendosin veten në rolin e atij që e ka pësuar edhe vetë nga këto bëma të padëgjuara. Zakonisht bindja që po rrëfen të vërtetën fshihet pas një fjalie lakonike: Është krejt e sigurt. Ma tha një mik për kokë këtë punë. Ai e kishte parë vetë. Në SHBA duke dashur të bëjnë shaka me këtë traditë, edhe atje fort të përhapur, kanë shpikur një term “The friend of a friend” (Shkurt FOAF, miku i mikut). Ky miku i mikut, zakonisht pa emër, është autori gjëmëmadh i këtyre historive me të cilat njerëzit me mend vënë buzën në gaz. Shumë prej tyre kanë frymëzuar filma dhe libra. Një nga më të famshmit personazhe të legjendave urbane amerikane është autostopisti anonim, ai i cili ka vdekur dhe është ringjallur dhe shkakton aksidentin e pashmangshëm të shoferit që e pranon në makinë. Legjenda urbane me nam janë ato sipas së cilës Pol Mek Kartnei ka vdekur që në 1966 dhe ky që shohim sot nuk është kush tjetër veçse sozia e tij. Ose ajo që Elvis Presli është ende gjallë, por fshihet se u mërzit shumë nga fansat.

Për të mos u zgjatur shumë, legjendat urbane janë një fenomen normal, një mënyrë për të lidhur fantazitë tona më të pamundura me realitetin, një arsye më shumë për të folur me të tjerët dhe, madje, për t’u bërë edhe interesantë, në një kohë kur nuk jemi aspak. Puna është kur këto legjenda urbane në mos nxiten, shumohen apo përdoren, sajohen nga vetë politika. Dhe në këtë rast nga pjesa e saj më e vyer, nga opozita. Opozita, pra vetë thelbi i demokracisë sonë ende me pak përvojë me sa duket, ka nisur një betejë të mirëfilltë politike, duke u nisur nga disa trafiqe misterioze droge. Një herë u tha se ishte vetë ushtria shqiptare që ishte përfshirë në trafiqe, pastaj sektorë të veçantë të Ministrisë së Brendshme, pastaj u fol për përdorimin e pistës së Gjadrit si strehë e trafikantëve misteriozë. Tash së fundi doli se disa avionë të vegjël, tinëzarë, të bardhë ulen nëpër xhadetë tona në Kardhiq, Karavasta, apo gjetiu. Tani shpresohet se një komision hetimi parlamentar do t’i verë pikat mbi i gjithë kësaj pune. Ka shumë gjasa që edhe kjo punë të fashitet shpejt sikurse ka ndodhur më të vërtetën që ka humbur sakaq sapo e ka prekur një komision parlamentar me dorë.

Deri më tani ka dëshmuar një fshatar nga Lushnja, i cili nuk ka përmendur fjalën drogë. Ka thënë vetëm se ka parë në orët e para të paradites një avion të vogël të ulet e të ngrihet nga rruga dhe një fuoristradë që ka bllokuar rrugën për afër 30 minuta. Dëshmia e dytë, e lexuar nga zoti Berisha publikisht në Parlament, është ajo e një gazetari nga Gjirokastra. Mesazhi veç vlerave informuese mbi avionët misteriozë kishte edhe plot cilësi prekëse njerëzore, sikurse janë ato rrëfimet për një jetim apo falënderimet për Engjëll Serjanin që e ka ndihur në të ritë e tij. Meqë ra fjala, në këtë pikë edhe autori i këtyre radhëve është solidar me kolegun nga Gjirokastra. Ai e di vetë fort mirë se ç’do të thotë të jesh jetim, meqë ka afër 20 vjet që është i tillë, gjithashtu edhe ai vetë është “rritur”, në një farë kuptimi, nga Lush Serjani. Mbetet për t’u qëmtuar se cili nga të dy: kolegu nga Gjirokastra, apo ish-presidenti Berisha është FOAF (miku i një miku) i vërtetë i kësaj historie.

Një vend është serioz sa më shumë jo vetëm qeveria, por në radhë të parë opozita, zhvillon një betejë serioze politike. Opozita ishte ajo që doli fituese në procesin për statusin e nëpunësit civil në Gjykatën Kushtetuese, ishte ajo që me shumë sukses mori në mbrojtje njerëzit e shkurtuar nga puna, kritikoi dhe kritikon politikat e sotme fiskale dhe ekonomike, por dreqi e di se si i ndodhi që t’i hyjë një rruge në dukje pa krye, asaj të avionëve zukatës misteriozë. Nga kjo legjendë e fundit urbane u dëmtuan të gjithë. Njerëzia u hallakat duke mos ditur kë të besojë, nga të gjithë u harxhua kohë e çmuar duke u marrë me mistere në vend që të merremi me një mijë e një halle që kemi. Opozita në vend që të shëndoshej më tej, sikurse ka nevojë krejt vendi, u ngatërrua, me pasion dhe jo me gjak të ftohtë, në një aferë nga e cila ka shumë gjasë të humbë energji, besueshmëri, seriozitet.

Sa për ta mbyllur disi me optimizëm këtë histori pranvere. Andej nga vitet ’70, Selman Azemi (1918-1983) ishte një kantautor algjerian shumë i suksesshëm edhe në Francë. Një nga këngët e tij më të njohura thoshte pak a shumë kështu: Dhe kështu fjalët morën dhenë/ Ato shkuan në të katër anët/ Do e marrim vesh shpejt në janë të vërteta/ Në qofshin gënjeshtra ju lyp ndjesë/ Mua kështu më thanë… Pa e ditur algjeriani këndonte një himn për FOAF, për mikun e një miku, i cili i kishte thënë se…

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA