“Puna e SHISH, e mangët”

27/04/2014 00:00

Petrit Zambaku ish-punonjësi i Shërbimit Informativ Shtetëror për 10 vjet në Departamentin e Analizës, në një intervistë për Top-Channel duke analizuar shkresën dërguar nga SHISH Ministrisë së Mbrojtjes deklaron se kreu SHISH, Visho Ajazi Lika do të ketë një përballje dhe llogaridhënie të vështirë përballë Komisionit Parlamentar për ato informacione që mbajnë firmën e tij. Por pse?

“Të gjitha dyshimet duhet të pasqyrohen në dokumentacionin që prodhon dhe administron SHISH.Rregullat e prodhimit dhe administrimit të dokumentacionit janë të mirëpërcaktuara.  Dyshimet duhet të jenë të pasqyruara.Këtë cështje duhet ta kishte vërtetuar deri në fund.Sepse qëllimi nuk është propagandimi i këtij veprimi se në Gjadër, ulet apo është ulur është cështje tjetër. Qëllimi është hetimi me detaje i cështjesh . Kush e realizon këtë trafik? Kur e realizon? Kur do të vinë prap? Si mund të kapen në flagrancë? pra duhet vërtetuar gjithcka. Vetëm atherë shërbimi e ka bërë punën.Shërbimi pa bërë këtë nuk ka bërë asgjë.Shërbimi ka barrën e provës për të vërtetuar të gjitha ato sa thuhen në këtë dokument. Dhe kjo vërtetohet duke paraqitur dokumentacionin shoqërues nga i cili është prodhuar ky relacion.Unë nuk do ta doja aspak të isha në vendin e atij që e ka firmosur këtë dokument”, thotë Zambaku.

Zoti Zambaku i cili tani drejton Institutin për Sigurinë dhe Kontrollin Demokratik jep këtë koment për përmbajtjen e shkresës.

“Këtu bëhet fjalë për shumë cështje e si pasojë duhet të kesh shumë informacione për ti vërtetuar për të cilat nëse shërbimi i ka, është e pamundur ti ketë nga kjo mënyrë shpjegimi në relacion për të vërtetuar të gjitha këto sa thuhen. Shpeshherë fusin fantazi për ti bërë interesante, fusin shumë elementë që nuk janë të rëndësishëm për atë që e konsumon informacionin. Por janë të rëndësishme për atë që e prodhon.Kjo ekziston në praktikën e punës së shërbimit sepse ato deri më tani kanë informuar shumë institucione në Shqipëri me informacione nga më të cuditëshmet, nga ato me pa vlerë por mund të ketë edhe me vlerë. Por këtë e kanë bërë pasi deri më tani SHISH-in nuk ka patur institucione që i ngarkon ligji për ti hetuar dhe vërtetuar ato cfarë ata thonë në shkresat e tyre. Ose për ti lavdëruar në fund ose për të mbajtur përgjegjësi për gënjeshtrat dhe shpifjet që bëjnë pasi nuk mund të operohet me indicje të përgjithëshme dhe elementë të përgjithshëm. Prandaj unë mendoj se ata duhet të paraqesin të gjithë dokumentacionin që i ka shërbyer për të ndërtuar këtë relacion”, shton ish-punonjësi i SHISH.

Zambaku shpreh habinë përse kjo shkresë nuk i ka shkuar Presidentit të Republikës, Bujar Nishani i cili deklaroi disa ditë më parë se “deri ditën që u bënë deklaratat në parlament nuk ka patur informacion”.

“Një informacion i tillë duhet t’i shkonte patjetër Presidentit të Republikës si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura sepse atij i dërgohen informacione shumë më të parëndësishme se ky”, mbyll deklaratën e tij Zambaku.

Top Channel