Pep: Filozofia ime nuk pëlqehet në Gjermani

25/04/2014 00:00

Pep Guardiola, trajneri i Bayern Munchen, u paraqit para mediave në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes së kampionatit gjerman ndaj Werder Bremen (e shtunë, ora 15:30), por fokusi i pyetjeve ishte mbi ndeshjen e kthimit të gjysmëfinaleve të Ligës së Kampioneve, atë ndaj Real Madrid.

“E thashë edhe në Madrid, jam krenar për ekipin tim, pavarësisht asaj që do të ndodhë të martën. Më pëlqeu fakti që zbritëm në fushë për të fituar ndaj një ekipi të madh të drejtuar nga një trajner i madh”, tha trajneri spanjoll.

Mbrojtja e Realit – Secili e analizon ndeshjen siç do. Për disa, Reali ishte më i mirë se ne, për disa të tjerë ne dominuam ndeshjen. Kishim më shumë goditje këndi, më shumë krosime dhe më shumë gjuajtje, por na mungoi goli. Në Allianz Arena do të jetë njësoj.

Forma e Ribery – Vrapoi shumë për skuadrën. Ka raste që nuk luan në nivelin e tij maksimal, por sakrifikohet për skuadrën. Jam unë ai që duhet ta ndihmoj. Nëse sezonin e shkuar luajti më mirë, problemi është tek unë. Ai stërvitet si gjithmonë.

Stili i lojës së Guardiolës – Mua më pëlqen të kemi nën kontroll topin. Në Madrid e kishim ne, ndërsa kundërshtari pati kundërsulmet. Është normale të ndodhë kështu pasi ata janë më të shpejtë se ne. Duhet të sulmojmë më shumë. E di që filozofia ime nuk pëlqehet shumë në Gjermani. Këtu pëlqehet më shumë stili i Borussias, por më zgjodhën mua për të drejtuar Bajernin.

Top Channel