Montezemolo kërkon modernizimin e Ferrarit

23/04/2014 00:00

Ndryshimi i Domenicali-t me Mattiacci-n është vetëm maja e një ajsbergu, që po sjell shumë ndryshime në shtëpinë e Ferrari-t. Objektivi është i qartë: Skuadra të rikthehet në maja dhe të fitojë Formula 1.

“Presidenti Luca di Montezemolo ka qenë tepër i qartë me Mattiacci-n dhe të besuarit e tij, duke njohur nevojën për t’i dhënë një shtysë më tepër aktiviteteve në Menaxhimin Sportiv. Fjalë të përkthyera në praktikë me një domethënie më se të nevojshme për procese vendimtare, në mënyrë që të optimizohet koha reale e punës dhe kalimi i zhvillimeve të iniciuara nga teknikët në Maranello”, ka njoftuar përmes një deklarate “kokëkuqja”.

Më qartazi, do të ishte: “Montezemolo ka kërkuar një rishikim të menjëhershëm për të shkurtuar procedurat e brendshme, për të eliminuar fazat e mesme dhe praktikat burokratike, në mënyrë që të garantohet më shumë fleksibilitet dhe procese vendimmarrëse më efikase. Bëhet fjalë për një thjeshtëzim të organizimit të punës, me një shkurtim të këshilltarëve dhe përfshirjen e tyre në disa fusha të rëndësishme për të rritur performancën e F14T”.

Por, jo vetëm ata që punojnë në fabrikë do të duhet të japin një ndihmë në përshpejtimin e rilindjes së Ferrari-t. “Përveç tyre, është kërkuar edhe një mbështetje më e madhe nga furnizuesit në tentativën për të reduktuar kohën e reagimit ndaj kërkesave që vijnë nga Maranello, duke kufizuar kështu pritjen për çdo komponent të vetëm, si në rastet e ndonjë prototipi, ashtu edhe në elementë të efikasitetit të provuar. Objektivi është të pasurit të një Ferrari akoma më reagues, gati të përmbushë dhe të maksimizojë të dhënat që do të vijnë nga të dy pilotët, të aftë për t’i mbledhur ato gjatë testimeve dhe garave, por mbi të gjitha për çdo rast që zbritet në pistë”.

Në fakt, përgjigjet e para priten të vijnë në Jerez, ku zhvillohen testimet e radhës, në Andaluzi, përpara se të garohet për garën e 5-të të sezonit, në Katalunjë të Spanjës.

Top Channel