Meksi: Takimi im me Garcia Marquez-in

22/04/2014 00:00

Gabriel Garcia Marquez është një prej shkrimtarëve më të dashur, cili do prej nesh që mund të prek një prej veprave të tij e quan veten me fat, por fatin ta takoi atë nuk e ka pasur secili prej nesh.

Mira Meksi, shkrimtare dhe përkthyese e mirënjohur, por edhe shqipëruese e veprës së Maquez-it në shqip, ka pasur fatin e madh ta takojë atë. E ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” ajo ka treguar detaje, të pathëna deri tani, nga takimi me shkrimtarin e madh kolumbian.  

Pandi Gjata: Do ta nisim këtë bisedë me takimin tuaj me Marquez-in në fillim të viteve ’90 ku ju ishit në Spanjë. Keni shkruar pasthënien e një prej veprave të tij më të rëndësishme, siç është “Dashuria në kohën e kolerës”, por jo të gjitha detajet e atij takimi i keni rrëfyer në këtë vepër, apo jo?

Mira Meksi: Sigurisht që jo, përderisa ishte një takim rreth 90 minuta, më tepër që bëhet fjalë për një përshkrim të këtij takimi në vitet ’90, kohërat ndryshojnë, shumë gjëra nuk thuheshin.

Pandi Gjata: Si ishte përfytyrimi i Marquezi-it në ato që ju kishit lexuar, por kur e takuat dhe biseduat me të?

Mira Meksi: Ishte një takim në vitin 1990, sapo kishte rënë Muri i Berlinit, kishte filluar një epokë e re, por që ndihej shumë pak në Shqipëri. Përfytyroni një shqiptare, e cila vjen nga vendi më i izoluar i botës që shkon në Spanjë. Dëshira e madhe për të takuar një gjigand të tillë të letërsisë, kishte shijen e një lirie tjetër, e një hapi drejt një bote tjetër. Përkthimi i  “Dashuria në kohën e kolerës” më ka marr 2 vjet kohë po aq sa Marquezit për ta shkruar atë, ndërkohë ndihesha pak “Marquez”, pasi i duhet përthyesit të përqafojë një identitet tjetër. Por e kishim parë atë në foto shumë të kufizuara pasi në atë kohë shihnim pak gjëra. Isha e mbushur me dëshirë dhe pasion për të shtrënguar ato duar që kishin shkruar një vepër kaq gjigande, ishte një magji. Unë pak kam përshkruar në pasthënien e librit, por isha e stepur para atij takimi dhe kur ai hyri në sallën e pritjes nuk dija si të veproja. Atëherë nuk isha as 30 vjeçe, por dukesha si 20 dhe kur ai u fut brenda tha -kjo vogëlushja është përkthyesja ime, duke e thënë me dashamirësi. Më pas filloi një bisedë e gjatë, më ishin premtuar vetëm 15 minuta. Nuk ishte e lehtë të takoje Marquez-in, kishin ndërhyrë miq të përbashkët, por nuk ja kishin arritur.

Pandi Gjata: E takuat më shumë si lexuese fanatike të veprës së tij apo si përkthyesja e tij?   

Mira Meksi: Edhe si lexuese, pasi kisha përfunduar gati të gjithë veprën e tij në atë kohë. Nga ana tjetër përkthyesi do patjetër ta takojë, pasi ka ato kleçkat e vetë të përkthimit, do ta takoi autorin në një autor të thjeshtë. Ishin të gjitha të përziera. Në ato pak fotografi që kisha parë më ishte dukur një burrë shtatmadh, por në realitet mu duk shumë i vogël, me ca sy, që edhe kur buzëqeshte, shumë të trishtuar, me një stilograf të zi si në pikturat e El Pais.  

Pandi Gjata: A kishte dëgjuar për Shqipërinë?

Mira Meksi: Po, ai e njihte Shqipërinë sepse kishte shkruar për të, unë nuk munda kurrë ta gjejë atë shkrim. Marquezi ishte një shkrimtar me ide majtiste, folëm edhe për socializmin që ai e përkrahte, por më bërë një dallim shumë të madh duke më thënë se ai socializëm që ai mbronte nuk kishte lidhje me atë që ne kishim njohur është socializmi i Amerikës Latine. Pjesa magjike e veprës së tij lidhet me folklorin, me legjendat e Amerikës Latine, përveç epizmit. Këtë pjesë, me shumë të drejtë europianët e quajnë ‘Realizëm Magjik’, pra që nuk ndodh. Ai donte të dinte nëse ballkanasit i shikonin si magjike apo i kishin në folklorin e tyre.  

Pandi Gjata: A është i vështirë Marquezi për t’u shqipëruar?

Mira Meksi: Jashtë zakonisht shumë i vështirë, përkthimin e tij do ta cilësoja ‘torturues’, por edhe të magjishëm. I magjishëm, pasi më mësoj të shkruaj. Shqipja arrin të japi një kryevepër të Marquez-it, pasi edhe kur nuk gjenden fjalët krijohen neologjizmat në magjen e Marquez-it.

Pandi Gjata: E vështirë për ta bindur që “Dashuri në kohët e kolerës” do të duhej edhe për lexuesit shqiptarë  të ishte në gjuhën e tyre?

Mira Meksi: Nuk ishte e vështirë pasi nuk është marrë njeri me të ishim vendi më i izoluar i botës. Nuk pyesnim për të drejta autori, por ne luftonim për t’i botuar. Gjithë ato figura që ai jepte nuk i përdorje dot në shqip dhe kjo ishte një tjetër censurë. E kam thënë që kam shumë mëkate, në botimin e parë që u shit mbi 30 mijë kopje brenda pak javësh, në vend të fjalës ‘lakuriq’ përdorja fjalën ‘gollomesh’, shumë e shëmtuar, por dukej sikur ishte më e mbuluar, u deformuan gjëra të tjera që vepra të kalonte. Në ribotimet e mëvonshme vepra doli e plot. Për të kaluar censurën u bënë nga këto truke të vogla. E vetmja gjë që kërkojë ishte të çoja kopjet në shqip, të cilat sigurisht i çova. Në vitin 2004 kur u botua vepra e fundit e Marquez-it, “Kujtim kurvash të trishta”, një vepër edhe kjo gjeniale, për herë të parë në gjuhë të huaj është botuar në shqip.

Pandi Gjata: A kemi pjesë të panjohura të veprës së Marquezit, që nuk e kemi në shqip?

Mira Meksi: Sigurisht. Kemi vepër të panjohur, por edhe vepër të përkthyer shumë keq.

Pandi Gjata: Ju si e apasionuar pas Marquezit, keni diçka në duar që do ta sillni për lexuesit?

Mira Meksi: Jo nuk kam, por kam një merak të madh që është “Vjeshta e Patriarkut”, të cilën do të doja patjetër ta përktheja.

Pandi Gjata:  Si e apasionuar jo vetëm pas veprës, por edhe pas detajeve, trupi i tij është djegur, për hirin ka debate se ku do të jetë, disa prej detajeve të fundit që ju keni mësuar?

Mira Meksi: Prej 2 ditësh, trupi i tij në një ceremoni të thjesht familjare, u dogj në një krematorijum në një lagje pran asaj ku ai banonte, të cilën unë e di edhe se ku ndodhet. Tani janë 3 vende që kërkojnë dhe ndoshta do ta ndajnë hirin e gjeniut të letrave. Shumë interesante janë ngushëllimet që ju bënë, Raul Castro thoshte – vdiq miku i madh i Kubës. Interesant është edhe ngushëllimi i FARC, organizata narkotrafikante, e cila bëri një betim me fjalët e personazhit kryesorë të “100 vjet vetmi”, duke thënë – ëndërrojmë për të sjellë paqe.

Top Channel