Kore e Jugut, mbi 100 viktimat e tragetit

22/04/2014 00:00

Vdekjet e konfirmuara nga mbytja e tragetit javën e kaluar në Korenë e
Jugut ka shkuar mbi 100, pasi plumbarët kanë rekuperuar më shumë trupa
nga objekti i fundosur.

Në total janë 108 personat që dihen që kanë vdekur, ndërkohë që mbi 190 të tjerë konsiderohen të humbur, që dyshohet të kenë mbetur të bllokuar në brendësi të mjetit lundrues.

Në bordin e tragetit ndodheshin 476 persona, përfshrirë 339 fëmijë dhe mësues që ishin në një ekskursion, shumica e të cilëve mbetën të bllokuar teksa mjeti lundrues u përmbys anash dhe u zhyt.

Polumbarët ushtarakë janë të angazhuar në operacionet e kërkimit. Trupat e viktimave po transportohen në portin e ishullit Jindo, raporton korrespondenti i BBC.

Zhytësit kanë arritur të depërtojnë në kabinat e tragetit të fundosur, por e kanë të vështirë të arrijnë restorantin e tij, ku mendohet se u bllokua dhe shumica e pasagjerëve.

Gjithashtu, ata kanë bërë gati një robot nënujor mëngjesin e së martës, i cili është gati të përdoret në operacionet për ngritjen e tragetit në sipërfaqe, raporton i dërguari i BBC.

Autoritetet deklarojnë se do të vazhdojnë kërkimet me polumbarë edhe për dy ditë të tjera, por familjet e viktimave kanë rënë dakord që operacionet e shpëtimit të mund të rifillojnë.

Nga ana tjetër, hetuesit janë fokusuar në dy pista: nëse trageti bëri një kthesë të shpejtë, ndoshta duke destabilizuar ekuilibrin; dhe nëse një urdhër i mëhershëm evakuimi do të kishte shpëtuar jetë.

Kapiteni Lee Joon Seok nuk ndodhej në timon kur nisën problemet dhe ishte zëvendësuar nga një oficer i tretë, që nuk kishte drejtuar kurrë një mjet në ujëra me rryma të fuqishme.

Kapiteni dhe dy anëtarë të tjerë të ekuipazhit janë akuzuar për neglizhencë në detyrë dhe shkelje të ligjit detar. Ndërsa 4 anëtarë të tjerë u arrestuan të hënën.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB