Fotot e ushtarëve rusë në Ukrainë

22/04/2014 00:00

Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar foto të ushtarëve në lindje
të Ukrainës, që sipas tij tregojnë se disa prej luftëtarëve janë të
forcave speciale ruse.

Fotot tregojnë ushtarë rusë të identifikuar dhe luftëtarë të tjerë të armatosur në lindje të Ukrainës. Për momentin nga qeveria ruse nuk ka pasur një reagim lidhur me fotot në fjalë.

Pamjet, që i janë dhënë Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë, tregojnë të njëjtët persona që marin pjesë në operacionet në qytetet Kramastorsk dhe Sloviansk në lindje të Ukrainës, si dhe që kanë qenë në Gjeorgji në vitin 2008.

Ndërsa një grup tjetër fotosh duket se lidh një person të armatosur, i pranishëm herë në Kramatorsk e herë në Sloviansk, me një grup të forcave speciale ruse.

Përfaqësuesi i përhershëm i Ukrainës në selinë e OSBE-së në Vienë deklaroi se fotot përbëjnë një provë më të fortë për përfshirjen e Rusisë në nxitjen dhe koordinimin e aksioneve separatiste që destabilizojnë situatën në lindje të vendit.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jen Psaki tha se komuniteti ndërkombëtar ka një qëndrim unik përsa i përket lidhjes mes Rusisë dhe militantëve të armatosur në lindje të Ukrainës.

Nga ana e saj, Moska e ka mohuar vazhdimisht akuzën se po destabilizon Ukrainën dhe ka paralajmëruar autoritetet në Kiev që të mos përdorin forcën ndaj protestuesve pro-rusë.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB