Tjetër përplasje Japoni-Kinë

21/04/2014 00:00

Sekuestrimi nga Kina i një anijeje japoneze mallrash për shkak të një borxhi të paraluftës mund të dëmtojë lidhjet tregtare mes dy vendeve, paralajmëroi të hënën zëdhënësi i qeverisë japoneze.

Gjykata Detare e Shangait deklaroi se e kishte sekuestruar anijen e një kompanie japoneze të shtunën, për shkak të një dëmshpërblimi të papaguar nga Tokio për dy anije kineze të dhëna me qera në vitin 1936.

Anijet kineze u përdorën më vonë nga ushtria japoneze dhe u mbytën në det, raporton agjencia e lajmeve “Kyodo News”.

“Qeveria japoneze e konsideron sekuestrimin e papritur të anijes sonë shumë të gabuar. Ka gjasa që kjo të sjellë një dëmtim të lidhjeve tregtare me Kinën”, deklaroi zëdhënësi Yoshihide Suga.

Autoritetet kineze kërkojnë kompensim për dy anijet e tyre të Luftës së Dytë Botërore dhe çështja në fjalë u rihap për herë të fundit në gjykatën e Shangait, në vitin 1988.

Ndërsa në 2007 gjykata vendosi se pala japoneze duhet të paguante 190 milionë jen, 30.5 milionë dollarë, për keqpërdorimin dhe më pas mbytjen e anijeve kineze.

Pala japoneze e apeloi vendimin, por ai u rikonfirmua në vitin 2012. Agjencia e lajmeve “Kyodo” shkruan se bëhet fjalë për rastin e parë të konfiskimit të një aseti detar japonez në lidhje me dëmshpërblimet e luftës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB